English

Përfundon demonstrata homazh e opozitës

Tiranë, 28 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas plot 90 minutash demonstrim homazh në shenjë nderimi për Hekuran Dedën, Ziver Veizin dhe Faik Myrton në një kortezh qytetarësh që ende vijon të bëjë homazhe e të ndëzë qirinj në vendet ku u vranë tre demonstruesit në 21 janar, është e qartë se gjithçka u zhvillua paqësisht me solemnitetin e zisë dhe nderimit të tri jetëve që mori me vete demonstrata e 21 janarit.

Vendi para kryeministrisë, që një javë më parë u bë shënjestra e dhunës së protestuesve ndaj forcave të rendit, duke i identifikuar ata me pushtetin, sot është zëvendësuar në një vend pelegrinazhi, ku qytetarë të thjeshtë dhe krerë të opozitës venosën lule e qirinj për të kujtuar tre njerëz që humbën jetën padrejtësisht të qëlluar me armë.

Demonstruesit e fundit sikundër edhe ata më parë pasi bëjnë homazhe largohen të qetë duke lënë në shesh trishtimin dhe kujtesën e mbetur gjallë të tre demonstruesve, që sot nuk janë më mes turmës së qytetarëve si të gjallë, por u bënë lajtmotiv i homazhit të tyre, si të vrarët e demonstratës së 21 janarit.

Tashmë kur ora ka kaluar 16.15 edhe përfaqësuesit e opozitës që ndoqën nga afër tërë marshimin paqësor të kortezhit të homazheve po largohen dalëngadalë nga vendngjarja, pra sheshi para selisë së kryeministrisë.

Më përfundimin e homazheve, sheshi pranë godinës së qeverisë është tashmë i lirë nga kortezhi i qytetarëve, dhe uniformat blu duken të vetmet që popullojnë atë vend, ku një javë më parë në këtë orë, ishin shënuar pas akteve të dhunshme edhe vrasjet e tre demonstruesve.

mit/NOA

[media id=45 width=620 height=440]

KOMENTE