English

PSE: Ndal presionit ndaj Prokurorisë, të nisë dialogu

E premte, 28 janar 2011, NOA- Partia e Socialistëve Europianë, nëpërmjet një deklarate për mediat bëri thirrje që të vendoset dialogu politik dhe qetësia në Shqipëri.

PSE shprehu shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e tensionit gjatë ditëve të fundit në Shqipëri, ku, në përplasjet mes demonstruesve dhe oficerëve të sigurisë, shumë njerëz u plagosën dhe tre protestues humbën jetën më 21 janar.

PSE i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave. Situata sociale në vend është karakterizuar nga tensioni dhe dhuna në rritje. Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë. Kjo rezolutë, që u mbështet nga partitë e koalicionit qeverisës, është e papranueshme pasi në të demonstratat që u zhvilluan të premten e shkuar në Tiranë, konsiderohen si një “rrethim” i paligjshëm i Selisë së Kryeministrisë dhe si një përpjekje për “grusht shteti” nga ana e liderit të Partisë Socialiste.

Partia e Socialistëve Europianë dënoi reagimin nga ana e qeverisë dhe bëri thirrje për një hetim që do të nxjerrë se kush është përgjegjës për vdekjen e tre protestuesve.

PSE bën thirrje për uljen e tensionit në vend në mënyrë që të vendoset dialogu paqësor. Gjithashtu, PSE u bën thirrje të gjithë forcave politike, forcave qeveritare dhe Partisë Socialiste që të mos e përkeqësojnë situatën aktuale të pastabilizuar.

Sipas PSE, “Është urgjente që tensioni social të trajtohet në mënyrë të qetë, të arsyeshme dhe konstruktive, gjë që është thelbësore për të rivendosur funksionimin normal të institucioneve politike”.

PSE i bën thirrje Kryeministrit Berisha që të ndalojë politikat e tij të papërgjegjshme, siç është ushtrimi i presionit ndaj Prokurores së Përgjithshme që të tërheqë akuzat për ata që janë përgjegjës për vrasjet.

Kryetari i Task Forcës së PSE-së për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe Anëtar i Parlamentit Europian, Kristian Vigenin, tha: “Shqipëria duhet të kapërcejë situatën aktuale dhe të vazhdojë të punojë për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst kaq dramatik, i bëj thirrje Komisionit Europian që të marrë një qëndrim të qartë dhe të bëjë të qartë se vendi nuk do të shënojë përparime drejt anëtarësimit në BE nëse nuk do të vendoset dialogu dhe nuk do të gjendet zgjidhja afatgjatë për të zgjidhur krizën politike”.

a.y/NOA

KOMENTE