English

Qytetarët mbështesin peticionin e shoqërisë civile për zgjidhjen e krizës

Tiranë, 28 janar, NOA - Mbi 2600 qytetarë brenda 48 orëve nënshkruajnë peticionin e shoqërisë civile, ku kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës dhe nisjen e dialogut midis partive kryesore politike në Shqipëri.

Konkretisht, me anë të tij, organizatat e shoqëria civile nëpërmjet peticionit i bëjnë thirrje kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës që të ulen menjëherë në një tryezë të përbashkët, nga e cila duhet të dalin me zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Ne besojmë se është koha për një dialog serioz për gjetjen e një konsensusi të ri politik për Shqipërinë” - thuhet ndër të tjera në këtë peticion.

Peticioni së bashku me listën e firmave të mbledhura gjatë 48 orëve të fundit, i është dërguar zyrtarisht në mbrëmje kryeministrit, kryesocialistit Edi Rama, si dhe presidentit Bamir Topi.

Në të njëjtën kohë një kopje e peticionit i është nisur edhe zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, Ambasadës së SHBA-ve, Zyrës së OSBE dhe përfaqësive të tjera diplomatike të vendeve të BE, prezente në Shqipëri.

Ndër të tjera, nënshkruesit e peticionit i bëjnë thirrje politikës dhe politikanëve shqiptarë që të heqin dorë nga gjuha konfliktuale, të ndërpresin demonstrimet në rrugë dhe të marrin hapa të menjëhershëm për një zgjidhje afatgjatë të situatës.

n.e/NOA

KOMENTE