English

Rama: Do të ngremë popullin në këmbë, për të hapur një kapitull të ri

Tiranë, 28 janar 2011, NOA- (Update) Në konferencën e mbajtur pak më parë për mediat, kreu i opozitës Edi Rama tha se, lidhur me dialogun politik, nuk hezitohet për një hap të tillë.

Më tej Rama tha se, “Përpjekja jonë nuk është një luftë për të asgjësuar palën tjetër, përpjekja jonë nuk është asnjë përpjekje për të nënshtruar palën tjetër, por është një përpjekje për ti dhënë një mundësi të re Shqipërisë, duke krijuar kushtet që të gjitha palët të jenë të barabartë para ligjit. Nëse pushteti i kusarisë dhe matrapazllëkut e ka harruar që përballë ka Shqiptar dhe arrin ti vrasë Shqiptarët në mes të bulevardit “Dëshmorët e kombit” si të ishin kuaj në filmat bardhezi të shekullit të shkuar, ne nuk e pranojmë”.

Në rast se Sali Berisha nuk do kishte provokuar demonstratën, sipas tij nuk do kishte ndodhur ajo tragjedi dhe nuk do ishte bërë kjo konferencë për të komunikuar në dy gjuhë.

Rama falënderoi të gjithë gazetarët e pranishëm që pasqyruan demonstratën dhe ngjarjet e fundit në vend, që sipas tij “edhe në këtë presion fashist, bëtë të mundur falë dëshmive tuaja dhe kurajos suaj, të vihen përtokë shumë nga pjesët e alibisë së çmendur të Saliut për një puç të organizuar nga opozita”.

Lidhur me qëndrimin që Partia Socialiste do të ketë me Parlamentin ai tha se, “Nuk ka asgjë të re në qëndrimin tonë ne do të jemi në parlament për të çuar përpara këtë betejë dhe do ta shfrytëzojmë hapësirën e parlamentit për çështjet që do të lidhen me këtë parlament”.

Lidhur me rrugën që do të ndjekë opozita Rama deklaroi se do të vijohet më tej.

“Për sa i përket asaj që ne do të vazhdojmë të bëjmë, kjo që patë sot është shëmbëlltyra e një rezistence paqësore e cila do të shkojë duke u zhvilluar në Shqipëri, dhe duke refuzuar çdo shenjë të frikës, që do të thotë se ne do të jemi përballë regjimit të kusarëve dhe matrapazëve dhe do të vazhdojmë të ngremë fuqishëm një popull të tërë, që kërkon fundin e këtij regjimi dhe fillimin e një kapitulli të ri, të cilin do ta hapin vetë shqiptarët të cilët do të votojnë të lirë dhe të pavarur në vendin e tyre”, u shpreh kreu i socialistëve.

Lidhur me Kodin Zgjedhor, i pyetur nga gazetarët ai u shpreh se, “Ne nuk jemi në këtë rrugën tonë paqësore për të shkruar ligje më të bukura, ne jemi gati të paguajmë çmimin që ka liria e atdheut që kërkojmë, ne duam shtetin ligjor”.

a.y/NOA

KOMENTE