Një projekt i ri mundëson mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës për gratë shqiptare
Tiranë, 28 Janar 2011 NOA - Ne kuadrin e muajit ndërkombëtar te luftës kundër kancerit te qafës se mitrës tek gratë, Fondacioni Vodafone Albania dhe një spital privat, nëpërmjet programit “Bota e Ndryshimit”, kane mundësuar dhurimin e Pap testeve falas për 100 gra e vajza nga zonat periferike te kryeqytetit, te konsideruara si pjese e një komuniteti ne nevoje.
Në shumicën e vendeve të botës, përfshirë edhe vendin tonë, kanceri i qafës së mitrës zë vendin e dytë për nga shpeshtësia pas kancerit të gjirit dhe është shumë më i shpeshtë në vendet e varfra dhe të pazhvilluara.
Kjo për shkak të kontrollit të varfër shëndetësor dhe të mungesës së njohurive rreth këtij kanceri.
Fatmirësisht, Pap testi ka ndryshuar rrënjësisht historinë natyrale të kancerit të qafës së mitrës që konsiderohet sot si një sëmundje që mund të parandalohet dhe të shërohet me sukses të plotë.
Për fat të keq, në Shqipëri, si rrjedhojë e edukimit të mangët e të pamjaftueshëm shëndetësor, shumica dërrmuese e grave nuk kanë kryer asnjë Pap test në jetën e tyre, ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme as që nuk e dinë se ç’është ky lloj ekzaminimi.
Kjo nisme është pjese e iniciativës se një prej fituesve te programit “Bota e ndryshimit” te financuar nga Fondacioni Vodafone Albania, Edlira Çako, qe përqendrohet pikërisht në edukimin dhe sensibilizimin e grave me mundësi të kufizuara financiare dhe arsimore në zonat periferike të Tiranës si dhe në mbledhjen e fondeve për të mundësuar kryerjen e këtyre testeve.
Çako shprehet se: “Duke qenë se janari është muaji ndërkombëtar i kancerit të qafës së mitrës, ne menduam që ta ofronim këtë shërbim pikërisht tani, duke mos harruar përkushtimin tonë afatgjatë për shëndetin e grave me mundësi të kufizuara ekonomike në Shqipëri”.
e.t/NOA