Shkodër, 28 janar, NOA - Forcat e Policisë së Shkodrës kanë mundur të identifikojnë autorin e tentativës së një vrasje dhe ta shpallin në kërkim atë.
Fjala është për incidentin e ndodhur paraditen e djeshme në lagjen “Naim Gjylbegu” të qytetit Shkodër, pikërisht në afërsi të një qendre shëndetësore, ku me anë të një pistolete është tentuar të vritet, 16-vjeçari me inicialet A. K., lindur e banues në këtë qytet, i cili nuk ka pësuar asnjë dëmtim.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore, ku nga veprimet e para hetimore e proceduriale të kryera, u bë e mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarje.
Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, ai është Artur Muça, 24 vjeç, lindur e banues në lagjen “Salo Halili” të qytetit Shkodër, për të cilin është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura proceduriale e hetimore dhe materialet në ngarkim të tij iu kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës për veprat penale të “Vrasjes me paramendim, e mbetur në tentative” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
n.e/NOA