Tiranë, 29 janar 2011, NOA- Kryeministri Berisha priti në një takim ditën e sotme me përfaqësuesin e komunitetit të Sant'Egidios, Imzot Vincenzio Paglion.
Gjatë takimit Kryeministri i bëri një paraqitje të situatës së krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Kryeministri u shpreh se në 21 janar, kreu i opozitës organizoi një protestë të dhunshme duke i vendosur ultimatum kryetarit të qeverisë se nëse nuk do të pranonte ultimatumin e tij do të kalonte mbi kufoma.
Kryeministri theksoi se për pesë orë me radhë, jo më shumë se 200 deri në 300 banditë, trafikantë e kriminela rrethuan institucionin e Këshillit të Ministrave më qëllim përmbysjen me dhunë të qeverisë legjitime.
Kryeministri u shpreh se në këtë përpjekje, zhvillimet e mëvonshme treguan qartë se janë të përfshirë dhe drejtuesit e 2 - 3 institucioneve të tjera të vendit.
Kryeministri e njohu imzot Paglion se Prokurorja e Përgjithshme lëshoi pa asnjë hetim urdhër arrestet për të gjithë komandën drejtuese të Gardës së Republikës përfshirë komandantët më të lartë të saj ndërkohë që nuk ka nisur ende hetimet për dhunim të rendit kushtetues duke mashtruar shqiptarët se nuk ka marrë padi për dhunim të rendit kushtetues në një kohë kur Policia e Shtetit e kishte dërguar këtë padi dy ditë më pare. Prokurorja e Përgjithshme vazhdoi misionin e saj të paralizës së sistemit të akuzës për hetimin e puçistëve, duke shkelur marrëveshjen e bërë me faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë duke dëshmuar në këtë mënyrë se puçistët shpresojnë akoma në projektin e marrjes së pushtetit më dhunë, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Presidenti i Republikës, siç fakton deklarata e tij e datës 21 janar, nuk arriti të shohë pesë orë dhunë dhe sulm për të përmbysur qeverinë legjitime të vendit.
Duke shprehur vlerësimin se SHBA kanë sjelle ekspertë shumë të mirë që do të ndihmojnë Prokurorinë në hetimin e çështjes shprehu besimin se kjo ekspertizë do të garantojë hetim profesional e të paanshëm. Kryeministri Berisha e njohu imzot Paglion se një komision hetimor parlamentar është ngritur dhe do të bëjë transparencën për shqiptarët mbi çdo gjë që ka ndodhur.
Duke e garantuar se situata është krejtësisht nën kontroll, kryeministri theksoi se ai që do të tentojë të dhunojë për herë të dytë institucionet e vendit do të marrë ndëshkimin maksimal ligjor që meriton. Kryeministri garantoi se askush nuk do të mund të pengojë bërjen e drejtësisë mbi këtë çështje.
Imzot Paglio shprehu keqardhjen për këto zhvillime të dhunshme duke i cilësuar ato të papranueshme si dhe vlerësoi kryeministrin për të qëndrimet e tij.
Duke shprehur mbështetjen e tij, ai theksoi se ka besim të plotë se rendi kushtetues i vendit është i fortë dhe nuk do të mund të dhunohet më.
a.y/NOA