English

Demonstrata, hetim telefonatave të Berishës, Topit, Bashës, Edi Ramës, Ina Ramës

Tiranë, 29 Janar 2011 NOA - Komisioni Parlamentar Hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, ka vendosur të kërkojë nga kompanitë telefonike që të vënë në dispozicion të hetimit, të gjitha thirrjet e kryera gjatë 21 janarit, të emrave më të njohur të politikës shqiptare dhe drejtuesve të disa institucioneve.

Komisioni sqaroi se vendosi marrjen e komunikimeve elektronike si dhe skedarët përkatës për zyrtarë dhe funksionarë publikë të institucioneve të larta shtetërore.

Kërkesa u bë publike nga Enkelejd Alibeaj gjatë mbledhjes së sotme që u zhvillua në dy raunde.

Alibeaj tha se kërkohen regjistrimet e të gjitha thirrjeve dhe materialeve të tjera të konsumuara me telefon nga Sali Berisha, Bamir Topi, Lulzim Basha, Bahri Shaqiri, Edi Rama, Ina Rama, Spartak Ngjela, Pjerin Ndreu, Skënder Gjinushi, Dashamir Peza dhe shumë të tjerë, pjesa më e madhe deputetë.

Më herët sot, pjesëtarët e Komisionit Hetimor zhvilluan një vizitë faktmbledhëse tek Garda e Republikës.

“Vizita e një pjesë të delegacionit të komisionit hetimor ka të bëjë me një vendim të rëndësishëm që ka marrë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për hetimin parlamentar të veprimeve kriminale të dhunshme të ndodhura gjatë datës 21 janar 2011, me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues, fatmirësisht të mbetur në tentativë” u shpreh anëtari i komisionit, Viktor Gumi.

Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi siguroi se Garda ka vepruar në përputhje me të gjitha ligjet në vend dhe se është e gatshme për çdo hetim. “E vlerësoj shumë praninë e komisionit hetimor parlamentar në Gardën e Republikës. Prania juaj këtu dhe prezantimi jonë në detyrat që kryen Garda e Republikës në tërësi në aktivitetin e saj ligjor patjetër që na motivon për të qenë sa më të saktë në përmbushjen e ligjit dhe detyrave. Ju siguroj se Garda do të punojë me përkushtim dhe motivim për të përmbushur misionin e saj të përcaktuar me ligj” u shpreh Komandanti i Gardës.

Përfaqësuesit e Komisionit Hetimor Parlamentar vlerësuan gatishmërinë e Shtabit të Gardës për të vënë në dispozicion të Komisionit Hetimor dhe të gjitha organeve kushtetuese, përfshirë edhe prokurorinë, materialet e nevojshme për hetim.

“Ne pamë me shumë kujdes efektivin e Gardës së Republikës që në përmbushje të të gjithë detyrave të cilat ky komision hetimor ka në bazë të ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, do të jetë e gatshme për t’u vënë në shërbim të këtij komisioni, qoftë materialet të cilat ne i kemi kërkuar, të dhënat paraprake me shkresa zyrtare dhe plan masash, si edhe shumë dokumente të tjera shkresore, por edhe gatishmëria e tyre për t’u paraqitur përpara këtij komisioni hetimor për të dhënë shpjegime në seancën në të cilën do të organizojë komisioni hetimor” u shpreh Dashnor Sula, përfaqësues i Komisionit Hetimor Parlamentar pas këtij takim.

Ndërkohë, po sot Komisioni Parlamentar Hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, vendosi që më datë 31 janar 2011 të zhvillojë një seancë informimi me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

e.t/NOA

KOMENTE