Tiranë, 29 janar, NOA – “Ne kemi ndjekur me dhimbje të thellë dhe me shqetësim në rritje ngjarjet e fundit tragjike që ndodhën në Tiranë si dhe rritjen e tensionit politik në vend. Mjafton të kujtojmë progresin e madh që Shqipëria ka bërë gjatë dekadës së kaluar”.
Kështu nis deklarata e donatorëve kryesorë në Shqipëri, të cilët theksojnë se rritja ekonomike impresionuese e ka çuar vendin drejt një ekonomie me të ardhura të mesme të larta, ku ekonomia ka treguar elasticitet ndaj krizës financiare globale të kohëve të fundit. “Përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme kanë pasur sukses në reduktimin e dukshëm të varfërisë si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike, të cilat janë të rëndësishme për biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”, citojnë ata më tej.
Duke shtuar se si partnerë afatgjatë të Shqipërisë që kanë mbështetur përpjekjet e zhvillimit të vendit si dhe rrugën e ndjekur drejt integrimit evropian do të dëshironin të shprehnin shqetësimin e tyre serioz lidhur me ndikimin negativ që tensionet e vazhdueshme mund të kenë mbi arritjet aktuale të vendit, mbi mjedisin e biznesit si dhe mbi zhvillimin e ardhshëm e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor.
“Shqiptarët i pret një axhendë e rëndësishme. Duhet të shfrytëzohen burimet e rritjes për ta mbajtur ekonominë sa më konkurruese në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të vështirë, për ta bërë vendin sa më tërheqës për investimet e huaja, për të hapur mundësi të reja punësimi në vend, si dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Ne, si partnerë për zhvillim dhe integrim, jemi të angazhuar të ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara në realizimin e kësaj agjendë sfiduese. Ne u bëjmë apel të gjithë homologëve tanë, udhëheqësve politikë si dhe qytetarëve të Shqipërisë që të punojnë së bashku për një të ardhme sa më të mirë për vendin e tyre”, përfundon deklarata në fjalë.
Ajo është nënshkruar nga Ambasada e Italisë - Zyra për Zhvillim dhe Bashkëpunim;
Ambasada Franceze, Ambasada Hungareze; Ambasada Gjermane; Ambasada e Mbretërisë së Hollandës; Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë; Ambasada e Suedisë; IOM; PNUD; Zyra e Bankës Botërore në Tiranë; Zyra e Bashkëpunimit Zviceran; Zyra e JICA në Tiranë dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë.