English

Halimi: Dokumentet e kërkuara nuk janë sekrete

Tiranë, 29 janar 2011, NOA- Pak më parë pas hamendësimeve dhe akuzave të vazhdueshme për hetimet e komisionit hetimor për ngjarjen e 21 janarit reagoi edhe kryetarit i këtij komisioni, Eduard Halimi.

Gjatë fjalës së tij për mediat ai tha se, “Nuk bëhet fjalë për procedurën e përgjimeve telefonike i parashikuar nga neni 191 KPP por përmbledhjen e të dhënave. Komisioni Hetimor Parlamentar ka të drejtë në bazë të nenit 4 dhe 15 te ligjit 8891 "për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare", të kryeje çdo veprim hetimor të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale”.

Ai sqaroi më tej se, “Pikërisht veprimi i marrjes se dokumenteve parashikohet si veprim nga neni 191 I KPP dhe neni 101 i ligjit nr 9818 dt 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikës së Shqipërisë”.

Halimi theksoi se, “Bazuar sa me sipër KHP ka të drejtë të kryejë çdo veprim hetimor që kryen prokuroria e Republikës, gjatë një hetimi penal, duke patur detyrimin të ruajë dhe të administrojë çdo dokument sekret dhe tepër sekret sipas rregullave të parashikuara qartë në ligjin për Komisionet hetimore parlamentare”.

Ai sqaroi më tej duke thënë: “Dokumentet e kërkuara nuk janë te nivelit tepër sekret sepse gjenden lehtësisht ne zyrën e financës se çdo institucioni ku kompania e telefonisë bashke me faturën financiare tatimore, dërgon dhe detajimin e çdo skedari (tabulati) të mbajtësit të numrit”.

a.y/NOA

KOMENTE