Budva, 29 janar, NOA - Dje në Budva të Malit të Zi, zhvilloi punimet takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), ku delegacioni shqiptar u kryesua nga Edmond Haxhinasto, zv/kryeminister dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Siç raportohet pwr agjencinë e Lajmeve NOA, në këtë Ministerial, ku morën pjesë të gjitha vendet anëtare, përshëndeti Kryeministri i Malit të Zi, Igor Lukshiç, vendi i të cilit ka edhe kryesinë e radhës të SEECP-së.
Në fjalën e tij në këtë takim, Haxhinasto, ritheksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit të gjithanshëm me vendet e rajonit. Ai vuri në dukje rolin e SEECP si instrument qendror politik i këtij bashkëpunimi, me rol të rëndësishëm për integrimin e rajonit dhe përafrimin e tij me Bashkimin Europian dhe NATO-n.
Në vijim, Haxhinasto, nënvizoi progresin e dukshëm të vendeve të rajonit, si dhe vuri theksin mbi disa nga fushat në të cilat ky bashkëpunim duhet të jetë më konkret, bazuar në projekte të përbashkëta rajonale, si në infrastrukturën rrugore, energji, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, etj.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të tij në të ardhmen, Haxhinasto theksoi se lëvizja e lirë e shtetasve të gjithë vendeve të rajonit në vendet tona do të ndihmonte së tepërmi në këtë drejtim.
Ai nënvizoi se lëvizja vetëm me karta identiteti biometrike është jo vetëm një shprehje e vullnetit politik për të thelluar bashkëpunimin dhe ndërveprimin rajonal, por edhe një element i rëndësishëm i integrimit rajonal.
Haxhinasto u shpreh se përfshirja e Kosovës në këtë nismë rajonale (SEECP) ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe në perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Haxhinasto tha se Kosova është e vetmja pjesë e munguar e bashkëpunimit rajonal, pa të cilën ky bashkëpunimin nuk do të mund të japë rezultatet që priten nga të gjitha vendet anëtare.
Në kuadër të Ministerialit të SEECP-së, Haxhinasto zhvilloi dhe një sërë takimesh dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Greqisë, Turqisë, Malit të Zi, etj.
Në këto takime u trajtuan çështje konkrete të forcimit të bashkëpunimit si në planin bilateral, ashtu dhe në atë shumëpalësh.
Po ashtu, gjatë takimeve u diskutua mbi zhvillimet në rajon, situatën në Shqipëri, etj.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri, Haxhinasto siguroi pjesëmarrësit se çfarë ndodhi apo çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen nuk do të mund të kompromentojë stabilitetin konstitucional e institucional të vendit.
“Një hetim i pavarur po kryhet në Shqipëri për ngjarjet e 21 janarit dhe unë jam i bindur, tha Haxhinasto, - se kushdo që ka shkelur parimet e sjelljes demokratike dhe ligjet e një vendi anëtar të NATO-s, do të dalë para drejtësisë”.
n.e/NOA