Uashington, 29 janar, NOA – Jeta dixhitale duket se po i tërheq gjithmonë e më shumë njerëzit në mbarë botën, duke u bërë tashmë e pamënjanueshme dhe e domosdoshme.
Një fakt të tillë e tregon një raport i fundit sipas të cilit gjatë vitit të kaluar, në mbarë botën janë shitur më shumë se 1.4 miliardë aparate telefonash celularë.
Rritja rezulton gjithmonë e më shumë vertikale me një sinjal rritje prej +16-18%, krahasuar me një vit më parë.
Kërkesa më e lartë mësohet se është në Shtetet e Bashkuara, ku siç shpjegojnë analistët e Idc, poseduesit e telefonave celularë po vdesin nga dëshira për të ndërruar aparatet e tyre të vjetër me ata të rinj, që kanë shërbimin internet etj.
Raporti në fjalë, tregon sesi të paktën 1 në çdo 5 banor të botës ka blerë një telefon të ri gjatë vitit të kaluar.
E në krye të listimit, mbetet marka Nokia, me 32,6% të tregut; ndjekur nga koreanët Samsung me 20,2% dhe Lg me 8,4%.
Ndërkaq, shitje të mëdha shënojnë edhe Kina, India, Afrika dhe Amerika jugore ku celularët shiten me kosto të ulët.
n.e/NOA