Tiranë, 29 janar 2011, NOA- Pak minuta më parë është mbledhur Komisioni Hetimor i ngritur për demonstratën e 21 janarit.
Burime zyrtare konfirmojnë për agjencinë e lajmeve NOA, se gjatë kësaj mbledhje u vendos që i dyti pas gardës së Republikës së Shqipërisë të jetë Kryeministri Berisha ai që do t’iu përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të këtij komisioni.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se Kryeministri do të pyetet nga komisioni ditën e hënë në orën 17.00.
Anëtari i këtij komisioni Enkelejd Alibeaj deklaroi se do të kërkojë nga kompanitë telefonike që të zbardhin tabulantet e Kryeministrit Berisha, Presidentit Bamir Topi, Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli gjatë ditës së demonstratës famëkeqe të 21 janarit.
Ndërsa paraditen e sotme në mbledhjen e parë të këtij komisioni u pyetën përfaqësuesit e Gardës.
“Nga ky takim me efektivet e gardës konstatuam se garda ka përmbushur, vazhdon të përmbush dhe do të përmbushë të gjitha ligjet e vendit për ruajtjen e institucioneve”, është shprehur deputeti Dashnor Sula, i cili kryeson edhe komisionin.
Ai ka theksuar se, garda është e gatshme që të ndihmojë prokurorinë deh se nga ana e tyre është kryer detyra në mënyrën më të mirë të mundshme.
Komisioni Hetimor u formua në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të mbledhur në datë 23, ku nuk ishte e pranishme opozita dhe për rrjedhojë vendet e saj në komision janë ende vakant.
a.y/NOA