Makina e parë me motor e patentuar- 1887
Kjo shpikje e ndryshoi botën: Automjeti është "fëmija më i dashur" - jo vetëm i gjermanëve. Prodhimi i automjeteve bën pjesë ndër degët kyç në shumë vende të industrializuara. Gjithçka filloi me tri rrota.
Historia e automjetit modern nis më 29 janar 1886. Në këtë ditë inxhinieri Carl Benz nga Manhajmi regjistroi patentën për makinën e vet me motor. Është një vehikël me tri rrota, e pajisur me një motor me djegie të brendshme.
Kjo makinë ka një fuqi prej 0,8 kuajfuqi, ndizet me manivelë dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 18 km/h.
Wilhelm Maybach
Por Jutta Benz, stërmbesa e pienierit të automjetit Carl Benz, e di, që makina e parë eci më herët sesa para 125 vjetësh, pra sesa viti 1886, nëpër rrugët e Manhajmit. "Jo, ajo ka lëvizur që në 1885 në Manhajm në rrugën Ringstraße. E ka ngarë stërgjyshi im dhe në ndenjësen e bashkudhëtarit ishte stërgjyshja ime."
Armëtari Gottfried Daimler ndërton pavarësisht nga Carl Benzi pak pas Benzit në Shtutgart një automjet të vetin. Të paktën ai ka katër rrota. Nga pamja i ngjan një karroce të modifikuar me kuaj. Daimleri bashkëpunon me ndërtuesin e motorëve Wilhelm Maybach - deri sot një partneritet legjendar.
"Me siguri ishin dy rrugë paralele, që çuan tek lëvizja, por krejt të ndryshme. Derisa Carl Benzi u mor që prej fillimit me njësinë automjet, Gottlieb Daimleri me konstruktorin e tij Wilhelm Maybach donte thjesht të vërtetonte gjenialitetin e motorit të tij pa dyshim shumë të mirë. Natyrisht, ai donte edhe ta tregtonte këtë motor..." thotë Winfried Seidel, drejtor i muzeut të automjeteve Dr. Carl Benz në Ladenburg dhe autor i biografisë me gjasa më të saktë të Carl Benzit.
Muzeumi i Benc- Mercedesit, Shtutgart
Shpikja e makinës me motor
Se ç'do të bëhej një ditë nga kjo shpikje e makinës me motor, kjo nuk mund ta përfytyroje para 125 vjetësh - thotë Kurt Möser, ekspert automjetesh dhe historian në Universitetin e Karlsruhes. "Nuk ishte e parashikueshme, në fakt nuk ekzistonte as treg. Ishte një shpikje spekuluese, për të cilën nuk dihej saktësisht se nga duhet të shkonte. Në ç'drejtim duhej optimizuarkjo shpikje? Në drejtim të shpejtësisë apo të rehatisë? Cili ishte tregu i ardhshëm?"
Ironi e historisë: Rekordet e para të shpejtësisë vendosen prej makinave elektrike. Një automjet i tillë zhyen në vitin 1901 për të parën herë kufirin e 100 kilometrave në orë.
"Tin Lizzy" e prodhuar nga Ford
Zgjat deri në vitet njëzet të shekullit të kaluar derisa mbizotërojnë motorët me benzinë. Arsyet: Shpejtësia më e madhe me motorë sa vjen e më të mirë, lëndë djegëse e lirë nga vajguri, rreze lëvizjeje mjaft më të mëdha sesa ato të elektromotorëve me bateritë e tyre të dobëta.
Shumë pionierë zhvillojnë në këtë kohë makina me motor
Fabrikat e para të automjeteve krijohen rreth vitit 1890 në Evropë dhe në SHBA. Atje bën histori njëfarë Henry Fordi. Derisa për një kohë të gjatë automjetet janë në gjendje t'i blejnë vetëm të kamurit, Ford Motor Company në Detroit investon një automjete, që mund t'i paguaj edhe njeriu i zakonshëm.
Automobil i Ford-it -Model A, 1903-04
Makina popullore T Model është në treg që në 1908-ën. Kur Fordi fut në 1913-ën prodhimin në seri ai Henry Fordi nuk katapulton në një epokë të re vetëm prodhimin e automjeteve, por krejt prodhimin industrial.
Automjeti T Model prodhohet deri në 1927-ën me dizenjo të pandryshuar. Gjithsej prodhohen 15 milionë makina të këtij tipi - një rekord, që mbetet për 45 vitet e ardhshme. Kjo në një kohë që Tin Lizzy, siç quhej ajo në gojën e popullit, nuk ishte makinë e rehatshme.
Daimler bashkohet me Benz
Në vitin 1926 bashkohen dy firmat e makinave Daimler dhe Benz. Gottfried Daimleri ka vdekur që në vitin 1900, Carl Benzi është ndarë prej kohësh në grindje nga sipërmarrja e vet fillestare. Me që bie fjala: Sa ishin gjallë Daimleri dhe Benzi nuk u takuan kurrë.
Makinat, që ndërtohen nga Daimler-Benz, mbajnë të gjitha emrin "Mercedes". Në vitin 1902 ky emër u regjistrua si markë prej shoqërisë Daimler-Motoren-Gesellschaft. Ai e ka prejardhjen nga afaristi Emil Jellinek. E bija e këtij partneri në shpërndarje të automjeteve të Daimlerit quhej Mercedes dhe shërbeu si dhënësja e emrit.
Stema e markës së shoqërisë aksionare Daimler Benz përbëhet nga ylli i Mercedesit dhe nga kurora e dafinës e Benzit. Makinat e kësaj marke janë deri sot tejet të shtrenjta. Asokohe këto automjete mund t'ia lejojë vetes vetëm një klientelë vërtet e kufizuar. E njëjta gjë vlen edhe për fabrikatet e gati 90 prodhuesve të tjerë të automjeteve, që ekzistojnë në Gjermani pas Luftës I Botërore.
Ferdinand Porsche
Fillimi i Porsche-s
Këtë dëshiron ta ndryshojë konstruktori austriak Ferdinand Porsche. Shpikësi ka ndërtuar tashmë si i punësuar në firma të ndryshme automjetet e para me shtytje të të katër rrotave ose hibride - novacione, të cilat për arsye kostoje nuk ndiqen më tej. Para se të hapë firmën e vet, gjatë karrierës së tij Porsche ka postin e kryekonstruktorit dhe të anëtarit të bordit drejtues të shoqërisë Daimler-Motoren-Gesellschaft.
Ferdinand "Ferry" Porsche në një aumomobil sportiv Porsche
Pak pas themelimit të shoqërisë Dr. Ing. h.c. Ferdinand Porsche GmbH në vitin 1930 në Shtutgart fillon planifikimi i një automjeti, i cili synon të pushtojë shtresat e gjera të popullsisë: Në 1934-ën Porsche nënshkruan një kontratë me qeverinë e Rajhut, e cila sanksionon ndërtimin e një të ashtuquajture makine popullore ("Volkswagens"). Ndërtohet prototipa. Në 1937-ën Volkswageni merr formën e vet përfundimtare. Në vitin 1938 nëpërmjet bashkimit të disa komunave në Gjermaninë Veriore krijohet një qytet i ri.
Kur më në fund është gati fabrika e re askush nuk flet më për Volkswagenin - sepse që në 1940-ën fillon për arsye të luftës prodhimi i armatimeve.
Uzina e Volkswagenit - në Wolfsburg
Megjithëse pajisjet e fabrikës shkatërrohen në pjesën më të madhe, në vitin 1945, pak javë pas përfundimit të luftës, rifillon prodhimi i makinave. Vetëm katër vjet më vonë prodhohet Volkswageni "i ri" i 50.000-të - në Wolfsburg, siç quhet që prej fundit të luftës qyteti i makinave.
VW është pas Toyotës dhe General Motorsit një nga tre prodhuesit më të mëdhenj të makinave në botë. Daimleri dhe BMW-ja bëjnë pjesë (për nga shitjet) ndër 15 kryesuesit në listën botërore.
Deutsche Welle