English

Marti: Nuk kam asnjë problem me popullin kosovar

Zvicër, 29 janar, NOA - Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të këqija, deklaroi raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), parlamentari zviceran Dik Marti, duke theksuar se është i bindur se atë që e parashtroi në raport për "gjoja akuzat për trafikim me organet njerëzore në Kosovë" do të ndihmojë që të arrihet deri te e vërteta.

"E vërteta nuk mund të imponohet nga jashtë dhe duhet të dihet se në rajonin e Ballkanit asnjëherë nuk do të ketë të ardhme të qetë dhe konstruktive, nëse ajo ndërtohet mbi të pathënat dhe gjysmë të vërtetat", deklaroi Dik Marti.

Që kur mori mbështetje nga parlamentarët e 47-të vendeve-anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët me shumicë të madhe prej 169 votave "pro", tetë "kundër" dhe 14 "abstenime" e miratuan rezolutën e propozuar, për kritikat që vijnë në llogari të tij nga ana e politikanëve shqiptarë ai u përgjigj se raporti "nuk është i orientuar as kundër popullit kosovar, as kundër popullit shqiptar, as nuk është angazhim në dobi të Serbisë".

"Ai është raport kundër shkeljes të të drejtave të njeriut dhe të drejtave fondamentale të vërtetuara me konventën evropiane për të drejta të njeriut. Ne e dimë që zbulimi i të vërtetës dhe gjykimi i padrejtësisë shpesh shkaktojnë dhimbje, shqetësojnë dhe kjo u pengon strategëve të politikës së karikuar", theksoi Marti.

Për grumbullimin e nënshkrimeve dhe sulmeve të ashpra në të cilat u ekspozua nga ana e politikanëve shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, deputeti liberal zviceran thotë se ai nuk ka asgjë kundër tyre, se dëshiron të takohet me ata dhe t'ua sqarojë përmbajtjen e raportit. Ai thotë se nuk beson se ata e kanë lexuar raportin, të cilin e shfrytëzojnë si manipulim.

"Mendoj se ky është manipulim. Në politikën karikuese disa politikanë gjithmonë kërkojnë armiq të jashtëm që ta përforcojnë pushtetin e tyre të brendshëm", deklaroi Marti, për MIA-n.

Senatori zviceran thotë se nuk e di nëse raporti i tij do të lejojë të zbardhen edhe të gjitha të pathënat për atë që ndodhi në Maqedoni gjatë konfliktit në vitin 2001.

Ai i bën thirrje Maqedonisë që ta tregojë "gjithë të vërtetën" për rastin me "rrëmbimin" e shtetasit gjerman Kaled el Masri, për çka më gjerësisht shkroi në raportin e tij për aktivitetet ilegale të shërbimit sekret amerikan CIA në territorin e vendeve-anëtare të Këshillit të Evropës.

NOA/INA

KOMENTE