Tiranë, 29 janar 2011, NOA- Përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar Spartak Ngjela tha para mediave se, qytetarët shqiptar janë të civilizuar si e gjithë bota dhe këtë sipas tij e vërtetuan ditën e djeshme në manifestimin-homazh.
“Opozita e bashkuar e konsideron ditën e djeshme si një hap normal të shqiptarëve drejt lirisë por ama një hap gjigant të Shqipërisë drejt perëndimit. Gjithë bota pa 200 mijë shqiptarë, që në fakt ishin 200 mijë burra dhe gra shtetit. Por pamë dhe një karrocier, por ishte një karrocier me karrocë pa kalë, ky që është kryeministër, që s’ka lidhje fare me ta”, u shpreh Ngjela.
Më tej ai nuk kurseu akuzat ndaj kreut të ekzekutivit, Sali Berisha duke shtuar: “Ata që nuk e kanë ditur më lejoni t’ju them se shqiptarët janë si të gjithë ata që demonstruan dje në shesh, me përjashtim të një njeriu që nuk është si ta, ky që kemi kryeministër. Të gjithë të tjerët janë ashtu siç patë ju dje, prandaj thashë që Shqipëria ka bërë një hap gjigant drejt perëndimit, se ka izoluar primitivizmin përfundimisht”.
Ndër të tjera Ngjela tha se, opozita e bashkuar mendon dhe njofton që kjo do jetë pjesëmarrja e madhe e protestave paqësore në Shqipëri, për ndryshimin e një gjendjeje tiranike, pa institucione ku kërcënohet presidenti, ku kërcënohet prokurori i përgjithshëm, ku vritet populli.
“Keni parë ndonjë kryeministër perëndimor të kërcënojë presidentin? Ka pasur por ka qenë Kancelari gjerman në vitet ’30, asnjëherë tjetër në perëndim. Ne jemi vend perëndimor, ju garantojmë për këtë dhe dje ja garantuam gjithë qytetërimit perëndimor”, theksoi ai.
Lidhur me formën se si do të zhvillohen protestat ai tha se, ato do të vijojnë, “Deri sa të çlirohen institucionet nga uzurpimi dhe të fitohet liria e popullit. Protestat kanë një sens, janë masive. Numri është ajo që vendos gjendjen, do jenë masive”.
a.y/NOA