E shtunë, 29 janar 2011, NOA- Pas zyrtarizimit të kontratës me Interin Xhanpaolo Pacinit, ish-sulmuesi i Sampdorias jep intervistën e parë si zikaltër.
“Një përshëndetje për të gjithë tifozët e Interit. Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu”, u shpreh “Paco” për “Inter Channel”.
“Gjithçka është kaq bukur këtu, surprizë dhe emocion i madh. Erdha dhe ende nuk e kam kuptuar atë që ndodhi. Por jam i vetëdijshëm për vendin ku kam ardhur, për mua është gëzim i madh. Në futbollin e sotëm nuk i dihet kurrë, ishte diçka shumë e shpejtë dhe unë nuk e prisja fare. Por e përsëris: jam vërtet i kënaqur”, u shpreh i ardhuri i fundit i Interit.
Duke vijuar më tej ai u shpreh se, “Po, kam qenë zikaltër me një tjetër skuadër dhe tani rigjej këto ngjyra. Kam dëshirë dhe entuziazëm të madh për të bërë mirë. Vij në një skuadër që më do dhe që shfaqi menjëherë shumë besim. Për mua kjo është vërtet e rëndësishme”.
Pacinit, do të mbajë në fanellë numrin 7 dhe prezantimi i tij zyrtar pritet të bëhet ditën e nesërme.
a.y/NOA