Tiranë, 29 Janar, NOA - Gazetat shqiptare janë të mbushura kryesisht me artikuj që flasin për tubimin homazh dje të opozitës, i cili nuk u shoqërua me dhunë, shoqëruar me deklaratën rreth saj të Partisë Demokratike si edhe kryesocialistit Rama.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Ana pret drejtësi”, i cili është një reportazh i realizuar nga manifestimi homazh i opozitës dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Detajet e dorëzimit të gardistëve”, është një artikull tjetër që tregon mbi thirrjet e gardistëve nga organi i akuzës për të përfshirët në demonstratën e dhunshme.
“Zbulohen mesazhet, Edi Rama u kërcënua me atentat një natë para demonstratës” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Dëshmitë në Polici/ Gardisti: Nuk kishim urdhër të qëllonim”, i cili flet për dëshmitë e dhëna në polici nga gardistët gjatë demonstratës së 21 Janarit.
“Homazhe paqësore me lule dhe qirinj, Rama: SHBA të rishohë raportet me Berishën”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Mirjeta e Marieli ndahen me lot në Big Brither, vajza ka të dashur jashtë”; “Agim Baçi: Bravo manifestimi, po një javë më parë?”; “Elsa Ballauri: Populli është në mes” etj.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Berisha, i mundur nga lulet/ Qetësia e 100 mijë demonstruesve, Rama: Protestat do vazhdojnë”, i cili citon deklaratat e bëra nga kryesocialisti pas manifestimit të djeshëm homazh të opozitës.
“Marrëveshja për gardistët: Prokurorët të shkonin në polici, nuk pranon Ina Rama” është një artikull tjetër i kësaj gazete.
Kurse “Berisha nxjerr puçistët: Edi Rama, Ina Rama, Bahri Shaqiri dhe Bamir Topi”, flet për reagimin e kryeministrit mbi demonstratën e 21 Janarit.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Opozita triumfon me heshtje”, i cili tregon sesi është zhvilluar i qetë dhe pa asnjë incident demonstrata homazh e opozitës.
“Berisha sulm ndaj Topit: nuk tha asnjë fjalë për dhunën” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon deklaratat e radhës të kryeministrit mbi reagimet e 21 Janarit.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Palestinezët lënë Greqinë, mësyjnë Sarandën”, “Parlamenti evropian: Të ndihmojmë palët të gjejnë zgjidhje” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “PD: Edi Rama vërtetoi se organizoi 21 Janarin”, i cili pasqyron reagimin e selisë blu pas demonstratës homazh të opozitës.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Rama foli anglisht para shqiptarëve”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Kreu i PS: Nuk hyjmë në zgjedhjet e 8 Majit”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Shtunë, 29 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.