English

PD: Prokuroria prishi paktin, tentoi të arrestonte gardistët

Tiranë, 29 janar, NOA – I plotësuar – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi ka pranuar sot se ka pasur një marrëveshje mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe drejtuesve të Gardës së Republikës për dhënien e dëshmive. Marrëveshje, që sipas Patozit është shkelur në mënyrë skandaloze nga Prokuroria.

“Vetëm pak orë pasi tentativa dështoi, Prokuroria e Shtetit nxitoi ta gjente përgjegjësinë tek Garda e Republikës, e cila kishte mbrojtur me vetëmohim institucionin, dhe jo tek organizatorët dhe ekzekutorët e grushtit të shtetit. Për të ardhur tek kryeskandali i prishjes së marrëveshjes, kur tentoi t’i arrestonte gardistët, ndërkohë kur ishte rënë dakord, që ata vetëm të merreshin në pyetje”, tha sot Patozi.

Ai sulmoi dhe Presidentin duke deklaruar se ka bërë llogarittë e ruajtjes së mandatit. “

Shqiptarët duhet ta dinë se vetëm ata, që pas grushtit të shtetit kanë bërë llogaritë e mandateve të tyre, nuk e kanë parë dhunën e pashembullt në dyert e kryeministrisë dhe se vetëm për ta, ajo që ndodhi ishte një ngjarje e rëndomtë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, tha ai.

Në emër të mazhorancës, Patozi u shpreh se do të hetohet dhe publikohet çdo detaj i ngjarjes së datës 21 janar.

“Ne kemi mirëpritur dhe inkurajuar çdo hetim të besueshëm dhe të pavarur për çdo detaj të 21 janarit, por më e rëndësishme se gjithçka tjetër është që zbërthehen me shpejtësi dhe elementët e grushtit të shtetit dhe të tregohen me gisht autorët e tij”, u shpreh Patozi.

Ai tha se hetimi parlamentar do të ndriçojë gjithçka “dhe se organizatorët e pucit do të përballen me të gjitha përgjegjësitë politike dhe juridike, që bien mbi ata që kanë kryer një krim të rëndë shtetëror”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha kreu i PS do të mbajë përgjegjësi për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë më demonstratën e dhunshme në datën 21 janar.

“Edi Rama është përgjegjës për dëmtimin e rëndë të imazhit të një vendi anëtar të NATO-s, që progresonte me shpejtësi drejt Bashkimit Europian, duke shfaqur qëllimisht para botës një Shqipëri tjetër, që nuk ka asnjë lidhje me atë të vërtetën. Le të mos kemi asnjë iluzion, Me manifestimin e djeshëm kryeorganizatori i puçit nuk bëri gjë tjetër, veçse mori përsipër krimin e shëmtuar të 21 janarit”, tha ai.

Një javë pas dhunës se pashembullt përballë kryeministrisë, çdo qytetar i këtij vendi e ka më të lehtë për ta kuptuar të gjithë skenarin e përpjekjes së dështuar për grusht shteti më 21 janar.

Sipas tij çdo ditë që kalon e bën më të qartë për çdo shqiptar përgjegjësinë e Edi Ramës për orët e tmerrit, për viktimat, që humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë që u plagosën, në atë rrethim 5 orësh të godinës së qeverisë.

“Edi Rama, në dëshirën e vet të papërmbajtur për t’u bërë kryeministër, thirri në Tiranë banditë të armatosur dhe mizorinë e tyre e përdori pa mëshirë kundër shtetit. Edi Rama është përgjegjës se luajti me jetën e mijëra socialistëve, të cilët i ftoi derë më derë për në protestë, pa u treguar se po shkonin në një ferr gurësh, hunjsh, pistoletash, granatash dhe bombash molotov”, u shpreh Patozi.

Nga ana tjetër, Patozi shtoi se Rama është paralajmëruar për ndëshkimet që do të ketë në një rast tjetër të ngjashëm. “Do të jetë fatale për të një përsëritje e 21 janarit, është përgjigja e duhur institucionale, por gjithsesi e pamjaftueshme”, tha ai.

Duke folur për hetimin, Patozi tha se informacionet e SHISH kanë munguar në lidhje me ngjarjen.

“Qytetarët e këtij vendi tashmë e dinë se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kishte asnjë të dhënë për policinë një ditë para pucit, ndërkohë që edhe pastrueset e rrugëve të Tiranës kishin dëgjuar se diçka e rëndë mund të ndodhte më 21 janar”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE