Tiranë, 29 janar 2011, NOA- Bashkia e Tiranës vijon kompletimin e skemës së re të qarkullimit të mjeteve, në kuadër të punimeve që po kryhen në sheshin “Skënderbej” dhe pikërisht kompletimin e fazës së dytë të kësaj skeme, me qëllim hapjen e kantierit të ndërtimit në pjesën jugore të sheshit.
Drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës Enton Punavija, duke iu referuar kësaj nënfaze aktuale të aplikimit të skemës së re të qarkullimit, ka sqaruar se fluksi i trafikut para selisë së PS-së, tashmë do të rrjedhë përgjatë Unazës së Vogël, me një drejtim lëvizje.
Sipas Drejtorit të Transportit, kjo masë e ndërmarrë i përket përket nënfazës së dytë të kësaj faze të qarkullimit, ndërkohë që në një moment tjetër do të kryhet devijimi i plotë i trafikut para Bashkisë së Tiranës, ku nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve para godinës së Bashkisë, por do të lejohet qarkullimi i mjeteve që vijnë nga rruga e Dibrës përpara 15 – katëshit, duke mundësuar kështu kompletimin e infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Skënderbej”.
Drejtori i Transportit Punavija ka sqaruar se kjo fazë e devijimit të trafikut është vetëm një hap larg skemës finale të qarkullimit që Bashkia e Tiranës po aplikon, ndërkohë që ai u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor si dhe regjimin e ri semaforik të vendosur.
NOA