English

Topi i kundërpërgjigjet Berishës

Tiranë, 29 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Vinçenco Palian dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij në vendin tonë.

Ashtu si Berisha më herët, Topi e informoi Palian lidhur me zhvillimet në Shqipëri duke diskutuar me të për situatën më të fundit politike.

Dhe duket pikërisht si hakmarrje ndaj shefi të qeverisë, fraza “duhet zgjidhje sa më e shpejtë dhe afatgjatë” që e thënë shkoqur përkthehet në kërkesë që mazhoranca të lejojë zgjedhje të parakohshme të kërkuara me ngulm nga opozita.

Dhe këtë frazë, Topi ka preferuar ta bëjë publike pikërisht me Palian me të cilin më herët Berisha po sot ndau shqetësimin se Topi ishte rreshtuar me Ina Ramën përkrah demonstratës së dhunshme të opozitës.

Presidenti dhe Palia ndanë shqetësimin e madh për gjendjen e rënduar politike duke theksuar nevojën e ruajtjes së qetësisë e maturisë, zgjidhjen sa më të shpejtë dhe afatgjatë të mosmarrëveshjeve politike dhe mospërdorimit të retorikave të ashpra, - thuhet në një njoftim të Presidencës.

Nga ana e tij, Vinçenco Palia, pasi shprehu edhe njëherë dëshirën e gatishmërinë e të gjithë miqve dhe dashamirësve të popullit shqiptar për të gjetur “një rreze drite, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo gjendje”, vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator të Kreut të Shtetit si garant i Kushtetutës dhe simbol i bashkimit të popullit. Palia nënvizoi gjithashtu rëndësinë e qetësimit të menjëhershëm të situatës, rivendosjen e dialogut institucional mes palëve politike si dhe respektimin e institucioneve të shtetit ligjor duke patur parasysh që Shqipëria është projektuar drejt integrimit në familjen evropiane.

e.t/NOA

Çfarë deklaroi Berisha:

Kryeministri Berisha priti në një takim mikun e vjetër, përfaqësuesin e komunitetit të Sant'Egidios, Imzot Vincenzio Paglion, ku i bëri një paraqitje të situatës së krijuar si pasojë e protestave të dhunshme dhe përpjekjeve për përmbysjen e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Kryeministri u shpreh se në 21 janar, kreu i opozitës organizoi një protestë të dhunshme duke i vendosur ultimatum kryetarit të qeverisë se nëse nuk do të pranonte ultimatumin e tij do të kalonte mbi kufoma. Kryeministri theksoi se për pesë orë me radhë, jo më shumë se 200 deri në 300 banditë, trafikantë e kriminelë rrethuan institucionin e Këshillit të Ministrave më qëllim përmbysjen me dhunë të qeverisë legjitime. Kryeministri u shpreh se në këtë përpjekje, zhvillimet e mëvonshme treguan qartë se janë të përfshirë dhe drejtuesit e 2 - 3 institucioneve të tjera të vendit.

Kryeministri e njohu Paglion se Prokurorja e Përgjithshme lëshoi pa asnjë hetim urdhër arrestet për të gjithë komandën drejtuese të Gardës së Republikës përfshirë komandantët më të lartë të saj ndërkohë që nuk ka nisur ende hetimet për dhunim të rendit kushtetues duke mashtruar shqiptarët se nuk ka marrë padi për dhunim të rendit kushtetues në një kohë kur Policia e Shtetit e kishte dërguar këtë padi dy ditë më parë.

Prokurorja e Përgjithshme vazhdoi misionin e saj të paralizës së sistemit të akuzës për hetimin e puçistëve, duke shkelur marrëveshjen e bërë me faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë duke dëshmuar në këtë mënyrë se puçistët shpresojnë akoma në projektin e marrjes së pushtetit më dhunë, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Presidenti i Republikës, siç fakton deklarata e tij e datës 21 janar, nuk arriti të shohë pesë orë dhunë dhe sulm për të përmbysur qeverinë legjitime të vendit.

Duke shprehur vlerësimin se SHBA kanë sjelle ekspertë shumë të mirë që do të ndihmojnë Prokurorinë në hetimin e çështjes shprehu besimin se kjo ekspertizë do të garantojë hetim profesional e të paanshëm. Kryeministri Berisha e njohu Paglion se një komision hetimor parlamentar është ngritur dhe do të bëjë transparencën për shqiptarët mbi çdo gjë që ka ndodhur.

Duke e garantuar se situata është krejtësisht nën kontroll, kryeministri theksoi se ai që do të tentojë të dhunojë për herë të dytë institucionet e vendit do të marrë ndëshkimin maksimal ligjor që meriton. Kryeministri garantoi se askush nuk do të mund të pengojë bërjen e drejtësisë mbi këtë çështje.

Paglio shprehu keqardhjen për këto zhvillime të dhunshme duke i cilësuar ato të papranueshme si dhe vlerësoi kryeministrin për të qëndrimet e tij.

Duke shprehur mbështetjen e tij, Paglio theksoi se ka besim të plotë se rendi kushtetues i vendit është i fortë dhe nuk do të mund të dhunohet më.

KOMENTE