English

Zgjedhjet e parakohshme, një opsion i arsyeshëm për zgjidhjen e krizës

Pirro Prifti

Ngjarjet e ditëve të fundit që u paraprinë lëvizjeve politike nga të dy palët për fat të keq në dobi të acarimit të situatës në vend të gjetjes së një marrëveshjeje për të qetësuar situatën politike në vend,- kanë shkaktuar një shqetësim, dhe irritim në shoqërinë shqiptare.

Këmbëngulja donkishoteske në kërkim të Dylqinjës së Tobozës, që përfaqëson në mënyrë të metamorfozuar statujën e lirisë shqiptare nga ana e opozitës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kërkimi i alibisë së pasjes të drejtë në veprimet e saj nga ana e maxhorancës e cila fshihet pas frazave të respektimit të ligjeve të vendit, kane ashpërsuar qëndrimet e të dy grupimeve politike të cilat njëlloj si dy cjepërit që grinden për të hapur rrugën në shtegun e ngushtë, pa dyshim do të bien në greminën e zënkave të tyre. Por i dëmtuari kryesor në këtë rast për fat të keq do të jetë populli, po, po, populli dhe shoqëria shqiptare e cila pret një të ardhme tjetër nëpërmjet politikanëve që ka zgjedhur vetë në 29 qershor 2009.

Në një analizë jo të tipit Bushati-Zheji, analiza në të cilat më tepër spikat këmbëngulja për të justifikuar pagesën nga partitë përkatëse sesa interpretimi i drejtë i fakteve të cilat paraqiten si një ‘tra’ në sytë e kundërshtarit për që ai nuk e sheh, mund të observosh disa argumente dhe faktorë të cilat anashkalohen herë nga një palë (opozita) e herë nga tjetra (maxhoranca).

Këto faktorë që acarojnë situatën mund të jenë:

Nga ana e maxhorancës- dëshira për të mbajtur pushtetin ekzekutiv me çdo kusht kur edhe pas pothuajse pas 2 vitesh opozita (pavarësisht nga këmbëngulja për të bindur të tjerët se zgjedhjet ishin të manipuluara), vazhdon të mbajë një qëndrim diametralisht të kundërt duke mos bashkëpunuar haptazi në kanalet zyrtare si parlamenti , presidenca por dhe pushteti vendor;

Nga ana e opozitës- dëshira për të quajtur zgjedhjet e 29 qershorit të 2009 si të manipuluara krejtësisht, duke harruar dhe anashkaluar se edhe ajo vetë ka manipuluar votat në disa zona të vendit të konfirmuara (në një rast) nga deklarimet e Dritan Priftit;

Nga ana e maxhorancës,

skandali me videokasetën e demaskimit të ilir Metës e cila shkaktoi një reaksion zinxhir politik si dorëheqja e tij ashtu dhe demonstrata e dhunshme 21 janarit,

Nga ana e maxhorancës, këmbëngulja e Kryeministrit për të mbrojtur aleaten e tij të koalicionit –LSI, megjithëse të dhënat reale tregojnë për një korrupsion të Kryetarit të kësaj Partie e për pasojë dhe korrupsion të drejtuesve të tjerë ku më shumë e ku më pak, ku personi më pak i korruptuar në atë parti duket Haxhinasto së bashku me anëtarët e tjerë që pa dëshirën e tyre nuk kanë marrë pjesë në qeverisje (e për pasojë mbetën të pakorruptuar),

Shkelja e rregullores nga ana e Gardës e cila përdori armë me predha të vërteta duke vrarë tre demonstrues paqësorë jashtë territorit të institucioneve dhe ndërhyrja e ekzekutivit për të dorëzuar të dyshuarit,

Nga ana e opozitës parapërgatitja e opinionit publik se demonstrata mund të kishte përmasa jashtë një demonstrimi paqësor dhe aktivizimi i radikalistit Ngjela i cili në fakt nuk shpreh medoemos qëndrimin e opozitës por të tijin personal porsa i përket thirrjeve për dhunë;

Nga ana e maxhorancës, justifikimi i vrasjeve me pretendimin e një të ashtuquajtur tentative për një ‘cup detat’ nga ana e opozitës, pretendim ky jo bindës po të merret parasysh që asnjë demonstrues nuk u gjend me armë përveçse me mjete rrethanore, dhe se në përgjithësi ky demonstrim i opozitës pavarësisht se i dhunshëm nuk i kaloi caqet e një demonstrate me leje por të dhunshme.

Me pak fjalë krahas problemeve të së kaluarës në të cilat nuk u arrit marrëveshja për komisionin hetimor parlamentar të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, për mungesë faktesh apo grup-faktesh nga ana e opozitës dhe djegia e fletëve të votimit para 24 mujorit (sipas rregullores), pikat kritike të mosmarrëveshjeve janë pikërisht këto që u thanë më lart.

Duke patur parasysh eksperiencën e hidhur të pjesëmarrjes së partive të vogla në koalicion për shkak të korrupsionit të tyre të paparë, del e domosdoshme që partitë e vogla nëse bëhen faktorë për qeverisje në koalicion nuk duhet tu jepen ministri të rëndësishme dhe as të bëhet marrëveshje me to për ndarjen e vendeve të punës sepse vazhdimisht po shkaktohen destabilizim në drejtim dhe menaxhim të dikastereve përkatëse nga vënia dhe heqja e njerëzve me eksperiencë aq sa njerëzit dhe punonjësit kanë frikë nga drejtuesit që hiqen e vendosen pa kriter nga partitë, sepse këta drejtues aspak teknokratë dhe meritokratë sillen si pronarë në institucione publike duke shkaktuar probleme pas problemesh qoftë në pushtetin ekzekutiv, qoftë në pushtetin lokal në tërësi.

Pavarësisht se ambasadori amerikan nuk ishte dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për shkak të situatave të kaluara dhe të situatave që do të vinë, mendoj se një opsion i mundshëm , ashtu si kam vendosur dhe titullin, nëse maxhoranca dhe opozita nuk mund të merren vesh, megjithëse maxhoranca ka më shumë të drejtë po të shohësh ecurinë e ngjarjeve pas

29 qershorit, është më mirë të lejojë realizimin e zgjedhjeve të reja- e theksoj nëse nuk ka përparime në gjetjen e kompromiseve të mundshme - për këto arsye që po i radhis më poshtë:

Sepse nëpërmjet zgjedhjeve të reja i jepet mundësia edhe një herë maxhorancës të konfirmojë fitoren e 29 qershorit,

Sepse vetëm me arritjen e një date zgjedhjesh të parakohshme PD mund të çlirohet nga detyrimet pa-kuptim ndaj një aleati të korruptuar si LSI dhe të dalë vetë e pastër,

Sepse me anë të zgjedhjeve të reja mund të arrihet të miratohen ligje në parlament me 85 deputetë, ligje që kanë 2 vite të pamiratuara,

Sepse me anë të zgjedhjeve të reja opozita mund të kënaqë kërkesat e veta dhe të pranojë pas kësaj deri në zgjedhjet e reja bashkëpunim pa kushte me maxhorancën,

Sepse me anë të zgjedhjeve të reja do të mund që me votën e popullit të largohen disa parti të vogla që porsi parazitë të vërtetë pengojnë imazhin e Shqipërisë si brenda dhe jashtë, ashtu dhe largimin e mundësisë së riciklimit të disa liderëve politikë të korruptuar e me procese hetimore në ngarkim.

sepse me anë të zgjedhjeve të reja, opozita do të mund të ketë një program konkurrues për të fituar ashtu si e ka programin e detajuar dhe maxhoranca, program i cili është devijuar pikërisht për shkak të makinacioneve të detyruara politike për të mbajtur pushtetin.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të NOA

KOMENTE