English

Atdhe i tradhtuar

“Pse u prit aq gjatë që rrëmuja të bëhej kaos dhe kaosi të kthehej mjegull për vrasje? Pse ata, të cilët atë ditë nuk dihej se në ç’vrimë urithësh ishin futur, një ditë më pas aktruan shumë keq “të përzishmin”, pikërisht në vendin ku duhet t’u vinte turp të afroheshin? Pse nuk u penguan ata dyqind të egërsuar, por u la situata të degradonte deri në vëllavrasje? Pse na u desh t’i merrnim fëmijët më herët nga shkolla atë ditë, pse nga frika e ndonjë “ngjarjeje” të mundshme, duhej të mbylleshim e të nguleshim para ekraneve? Pse, për habi, pas vrasjes nuk kishte më protestë, të gjithë “u qetësuan” dhe nuk kishin më çfarë të thonin e të protestonin? Kur në fakt protesta aty duhet të fillonte”....

Nga Flutura Açka

Kur dikur, ndërsa këndohej ezani, një besimtar i mirë dhe i varfër nisi të qante dhe në fund të faljes, hoxha e pyeti se çfarë po e brente m’u aty në shtëpinë e Zotit, besimtari i tha me sinqeritetin e tij të skajshëm: “Tek e shihja mjekrën tënde, hoxhë efendi, mua m’u kujtua cjapi në shtëpi. Cjapi që do ta ther nesër se s’kam bukë për fëmijët”. Kjo histori e vjetër m’u kujtua kur shihja mbrëmë bisedën (lavdi Zotit!) të qetë dhe zëulët, të Edi Ramës, i cili sërish bënte thirrje për një të premte tjetër demonstrative. Dhe u rrëqetha nga mendimi se cilët “cjep” të pafat do të thirreshin në thertoren e politikës për të shuar “varfërinë push(te)tore” të radhës, majtas a djathtas qoftë. Dhe nga dëshira që kam të mendoj se njerëzit bëhen më të mirë kur mësojnë nga gabimet e tyre, dua të besoj se nuk do të ketë një të premte të dytë të zezë dhe se qetësia që emetoi nga ekrani i mbrëmshëm lideri i njërës palë (i cili mëton të na bindë se meriton të jetë nesër edhe i të dyja palëve, a i gjithëpalëve), nuk është koraca e një beteje të pritshme të ngjyer me gjak prej “cjepsh” të tjerë të pafaj. Po, po, kam dëshirë të besoj se Edi Rama premtoi një të premte jo të prapë, të besoj se ai e ka kuptuar se humbësi më i madh i gjithë çfarë ndodhi, është ai vetë i pari. Por kam një drojë që, më shumë se për të kujtuar të premten e shkuar, kjo e premte do të përdoret pikërisht për të harruar të premten e shkuar, sepse ç’është e vërteta, ajo e premte akuzon atë të parin, Edi Ramën, i cili për vite e vite, dhe pas qershorit të 2009, për muaj e muaj, po përpiqet të na bindë se e drejta është me të. Dhe mund të jetë me të, sa kohë që këmbëngulja dhe lufta e tij për të drejtën, është paqësore dhe e argumentuar. Në një demokraci, e drejta për të protestuar, është esenciale dhe pjesë e lirisë individuale, politike dhe asaj publike. Por e premtja e shkuar është diversion, gati fatal, “i së drejtës” së Edi Ramës dhe kauzës së tij, dhe i ka bërë çuditërisht të heshtur kasnecët e të dyja kampeve, të cilët përditë e më shumë janë bërë të neveritshëm në sytë tanë. Unë nuk di dhe nuk dua të gjykoj se “Kush?” e “Si?” vrau njerëz të pafajshëm, kjo është e drejtë e organeve dhe specialistëve të prokurorisë shqiptare, e atyre që u takon ta thonë të vërtetën. Por ne (unë dhe mijëra shqiptarë që u dhimbet atdheu) e dimë “Pse?” dhe “Çfarë?” i vrau të paditurit dhe besimtarët e fesë politike të mbledhur aneqark, përse u tradhtuan në rrugë të madhe, duke u lënë vetëm në gjendjen e tyre të “dehjes nga e drejta”? Pse u prit aq gjatë që rrëmuja të bëhej kaos dhe kaosi të kthehej mjegull për vrasje? Pse ata, të cilët atë ditë nuk dihej se në ç’vrimë urithësh ishin futur, një ditë më pas aktruan shumë keq “të përzishmin”, pikërisht në vendin ku duhet t’u vinte turp të afroheshin? Pse nuk u penguan ata dyqind të egërsuar, por u la situata të degradonte deri në vëllavrasje? Pse na u desh t’i merrnim fëmijët më herët nga shkolla atë ditë, pse nga frika e ndonjë “ngjarjeje” të mundshme, duhej të mbylleshim e të nguleshim para ekraneve? Pse, për habi, pas vrasjes nuk kishte më protestë, të gjithë “u qetësuan” dhe nuk kishin më çfarë të thonin e të protestonin? Kur në fakt protesta aty duhet të fillonte. Ky qetësim tregoi dhimbshëm se një plan A ishte realizuar, dhe një plan B u la për më vonë. Këto janë veç hamendje që na i bën kujtesa e vrarë, mendja jonë e lodhur dhe shpirti ynë i fyer gjer në palcë. Të kuptohemi, asnjë vrasje nuk justifikohet, madje është një krim i madh të vrasësh njerëz në mes të sheshit, në dritë të ditës. Asgjë nuk e justifikon vrasjen e demonstruesve të thjeshtë, ngado të kenë ardhur plumbat, aq më keq nëse kanë ardhur nga fortesa e Kryeministrisë. Por çështja nuk është te Kryeministria, Edi Rama e dinte se me asisoj turme me hunj, e çadra të kthyer në hunj, me spektakle të egrish si të kohës së Tanzimatit, nuk mund të merren institucionet. Dhe ngaqë e dinte këtë, ai bëri tradhtinë më të madhe që mund të mendohet. Ai i la ata vetëm, duke u ngushëlluar mbase në heshtje me veten, a me këshilltarët e tij të këqij, se la vetëm veç ata, se tradhtoi veç ata. Por në fakt, nuk tradhtoi vetëm ata, por edhe ne, tradhtoi atdheun e tij. Edi Rama tradhtoi atdheun, duke na tradhtuar të gjithëve ne shqiptarëve, që besojmë se një brez i ri politikanësh (siç është ai), do të sillen ndryshe me fatet e këtij atdheu. Ai na bindi se këtu nuk po vijnë dhe nuk do të vijnë gjatëherë politikanë të përgjegjshëm. Se ne nuk jemi tokë ku mund të mbijnë njerëz të paqtë e të qytetëruar. Edi Rama e tradhtoi atdheun, sepse e bëri pjesë të shoë-t të madh të përbotshëm, që pa “me zë e me figurë” se ç’bëhet ende në një vend që po përpiqet të bindë Europën se çoç po bën me demokracinë e vet. Duke bërë këtë, Edi Rama mendoi se ia shkërmoqi edhe pozitës zellin dhe ia dogji kartat e “integrimit” në dorë. Por në fakt, ai tradhtoi ëndrrën tonë europiane dhe ata që humbin nuk janë politikanët, por ne. Madje-madje, për ta (politikanët), të qenët në Europë ka të ngjarë të jetë fundi i pashallëqeve të tyre, ndaj edhe nxitojnë t'i kenë sa më të mëdha dhe t'i bëjnë me letra, që kur të jenë në Europë, të jenë me tapira. Edi Rama tradhtoi atdheun, sepse na riktheu në mendje atë çfarë po përpiqeshim ta harronim e që na bën me turp sa herë kujtohemi, vitet 1997-‘98. Duke bërë këtë politika na ç’motivoi tërësisht. Investitorë të huaj që sapo kishin shkelur apo po hamendeshin të investonin, po largohen një nga një. Vendit “Hot” të turizmit po i ikën aureola e shkëlqimit dhe e lavdisë dhe turistët, ata që menduan të vinin këtë verë në Shqipëri, i grisën axhendat e tyre. Për ta ka vende më të qeta, me njerëz pa hunj në duar dhe pa ushtarë me armë e skafandra. Edi Rama tradhtoi atdheun, sepse prishi lojën e demokracisë. Nga zelli për të dëmtuar reputacionin e konkurrentit të tij të fortë (këto ngjarje na shpjegojnë se paska qenë i fortë për të) për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ishte i gatshëm të përdorte çdo mjet për ta nxjerrë atë nga loja. Dhe e ka nxjerrë nga loja, për sa kohë këto vrasje rëndojnë mbi shtetin. Kësisoj rruga për në “fronin” e kryebashkiakut, është fare e lirë. Kjo edhe ngaqë harron se të qenit aq gjatë në të njëjtin post, i bën të neveritshëm politikanët, kudo e kushdo qofshin ata. Edi Rama e tradhtoi atdheun, sepse tradhtoi Edi Ramën, kryeministrin e ardhshëm të shqiptarëve, i cili, do të jetë me gjasa kryeministër, pasi, edhe pse iu vranë tre demonstrues (për shkak edhe të mosdrejtimit të tij), nuk do të gjejë aq kulturë dhe kultivim brenda tij, sa të japë dorëheqjen nga kreu i partisë që drejton, si i paaftë. Edi Rama tradhtoi atdheun, sepse tradhtoi dhe i ktheu në shënjestra, të armëve që po ndryshkeshin më në fund nga paqja, tre njerëz të pafat, tradhtoi atë “popull opozitar” (gjysmën tonë), për idealet e të cilit e pat ngrënë aq gjatë meraku. Nga ura e Lanës ku pretendon se mbeti e nuk lëvizte dot për shkak të ujit që hidhte policia (ose të gurëve të të tijve), i duheshin vetëm dy minuta për në shesh dhe e kishte mbyllur me nder atë ditë. Por vendosi të bënte sehir dhe priti e priti mbase, derisa gardës t’i mbaronin plumbat e manovrës, derisa gardistëve të thjeshtë t’u soste durimi. Unë nuk e di se ku ka qenë Edi Rama, kam dëshirë ta besoj tek Ura e Lanës, siç thotë. Por unë e di se ku ka qenë Gramoz Ruçi, sepse e kam parë me sytë e mi, atë dhe shpurën e tij. Nga “Sky Toëer”, ky politikan, dhuratë nga diktatura, bënte sehir sheshin, kur duhet të ishte vetë i pari në shesh, siç është në fjalimet që mban nga foltorja e Parlamentit. Po mua nuk më shqetëson dhe as më habit Gramozi, as ata që janë mësuar me diktatin. Unë dua të di ku ishte Shegushja, bashkëqytetarja e fëmijërisë sime, në thelbin e së cilës kam besuar se ka dhimbje dhe drejtësi. Unë dua të di ku ishte Vasilika, mikja ime, sepse e kam parë dhe çmuar si luftëtare të së drejtës, të asaj së drejte që mbron edhe qytetarin e thjeshtë, edhe gardistin në krye të detyrës. Unë dua të di se ku ishte Fatmir Toçi, miku im, tek i cili besoj se ka aq mirësi dhe shpirt për ta ndarë të mirën nga e keqja. Unë kam dëshirë të besoj se këtë të premte ata do të jenë aty, pikërisht të bëjnë misionin e tyre dhe detyrimin ndaj demokracisë. Unë kam dëshirë ta besoj këtë. E premtja e kaluar është një sferë në këmbë e së premtes së ardhshme dhe u takon institucioneve shtetërore ta shpengojnë atë nga përzija e një jave më parë. Kur u vendos në krye të Prokurorisë shqiptare një grua, mendova se kishte ardhur ora që graria shqiptare po e kishte një shans të tregonte se çoç di të bëjë. Por pak ditë më pas, e ndjeva se asgjë nuk do të ndodhte. Shfaqja si topmodele e Kryeprokurores shqiptare në kopertina revistash me veshje e nëpër sallone të firmuara (Kryeprokurorja e vendit!!!), e shoi entuziazmin tim. Dhe, për të keqen tonë, koha tregoi se ajo nuk e drejtoi si duhej atë armatë specialistësh të devotshëm, të cilët me punën e tyre duhet t’ia vinin gishtin mbi plagë krimit, duke i bërë një nder të madh këtij vendi. Fakti që Kryeprokurorja akuzohet nga shteti (pjesë e të cilit është institucioni i saj), nuk tregon forcën e pozitës, por dobësinë e saj si drejtuese. Përtej “retorikës politike” me të cilën Kryeprokurorja e përligji situatën, ajo nuk ka zgjidhje veç: ose të na bindë se po akuzohet pa të drejtë, ose të largohet si e pazonja. Pasi ne kemi nevojë për të vërtetën, të vërtetën për të gjitha ç’kanë ndodhur e ç’po ndodhin. Ne presim fjalën e saj, të specialistëve të saj të përkushtuar, duke shpresuar të mos vonojë si Gërdeci, të mos vonojë si videoja e Metës, të mos vonojë aq sa t’i kemi hedhur në harresë tre shqiptarët e mjerë, fli të “varfërisë pusht(et)ore”, as hobetë e gurëve mbi shtetin e të gjithëve.

NOA

KOMENTE