Tiranë, 30 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kryeministri Sali Berisha i ka uruar sot personalisht 18 vjetorin e lindjes gjimnazistes Bekime Rexha, e cila gjatë demonstratës së 21 janarit u dhunua nga disa demonstrues në një nga bulevardet kryesore të Tiranës.
Duke i uruar Bekimes jetë të gjatë, Kryeministri u shpreh se për atë që i ndodhi Bekimes ka marrë me qindra mesazhe nga maturantë e gjimnazistë nga Gjirokastra, nga Mallakastra, nga Vlora, nga Hasi, nga Kukësi, nga mbarë Shqipëria, të cilët kanë shprehur një ndjenjë revolte të thellë shpirtërore për atë akt të shëmtuar që një kriminel kreu në një nga bulevardet kryesore të kryeqytetit.
“Të gjithë më kanë kërkuar që qeveria të bëjë gjithçka për gjetjen e autorit dhe vendosjen e tij para ligjit. Ndaj, unë vij të përcjell edhe një herë urimet më të përzemërta nga mbarë nxënësit e këtij vendi, shkollarët e këtij vendi, por unë jam i sigurt se çdo prind që nis fëmijën në shkollë bashkohet në këtë gëzim të familjes tuaj”, tha Kryeministri.
Berisha u shpreh se ndodhet në këtë festë të familjes Rexha jo vetëm për të shprehur urimet e tij dhe të familjes së tij me këtë rast, por t’i përcjellë këto urime edhe në emër të bashkëmoshatarëve të Bekimes, të cilët aktin barbar të dhunës ndaj saj e kanë përjetuar si një dhunë ndaj tyre.
“Erdha këtu të ndaj me ju gëzimin e datëlindjes së Bekimes dhe për t’i uruar asaj në emër të familjen time shumë gëzime, mbarësi, shëndetet, suksese dhe jetë të gjatë. Erdha, gjithashtu, jo vetëm në emër të familjes sime, por para së gjithash në emër të të gjithë shkollarëve shqiptarë, të të gjithë bashkëmoshatarëve të Bekimes, të cilët aktin barbar, dhunën ndaj bashkëshollares dhe bashkëmoshatares së tyre, e kanë përjetuar si një dhunë ndaj tyre”, tha Kryeministri.
Duke iu drejtuar Bekimes, me rastin e përvjetorit të saj, Kryeministri Berisha u shpreh “ne të urojmë ty të bëhesh 120 vjeç, e lumtur, me atë jetë që meriton. Ndërsa ata që qëllojnë dhe godasin mbi fëmijët tanë të bekuar do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor”
Ndërsa u shpreh se shkolla dhe shkollimi i fëmijëve janë përparësia më absolute e kësaj qeverie, Kryeministri Berisha theksoi se ata që përpiqen të djegin me zjarr të ardhmen e tyre janë të pashpresë.
“Ne shohim drejt të ardhmes, drejt ndërtimit të vlerave dhe ajo që mund të bëjmë ne është të ndërtojmë ëndrrën tuaj, të ndërtojmë atë Shqipëri që ju keni në mendje, në zemër, në shpirt dhe që e meritoni plotësisht”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha i dhuruan Bekimes, më rastin e datëlindjes, një buqetë me lule dhe një kompjuter.
Nga ana e tij, babai i Bekimes, u shpreh se ndihet krenar për vajzën e tij, e cila ka shprehur hapur bindjen e saj atë ditë, pasi – theksoi ai, - jetojmë në një shtet demokratik që po shkon drejt Evropës dhe jo drejt komunizmit e kooperativave bujqësore.
e.t/NOA