English

Flamuri kombëtar i Yzeirit

Po të shikohet në një kontekst tjetër del se polici Amarildo Yzeiri u përball me deputetin Dritan Prifti. Në fakt doli që këta dy të jenë personazhet kryesore të së premtes së zezë. Nëse Prifti i ndihmoi Berishës në bërje të qeverisë, ai u përball ashpër me Yzeirin në rrënimin e po kësaj qeverie

Nga Bardh Frangu

Polici Amarildo Yzeiri arriti ta mbrojë flamurin kombëtar me të cilin demonstruesit e rebeluar e përdorën si mjet sulmi kundër institucioneve të shtetit. Ky akt i guximshëm dhe tepër i veçantë i këtij pjesëtari të policisë u bë një nga pamjet më të konsumuara nga mediet që propagandojnë forcën e qeverisë. Njësoj u regjistrua edhe akti solemn kur ky pjesëtar i policisë shqiptare ia dorëzoi flamurin e shpëtuar kryeministrit të Shqipërisë, të cilit i shërbeu si një alibi e mrekullueshme për të ngacmuar ndjenjat e fashitura nacionaliste të shqiptarëve. Kryeministri e puthi flamurin e shpëtuar me shpresë dhe bindje që vitin e ardhshëm, në njëqind vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, të njëjtin ta ngreh edhe në Vlorë. Kjo do të ishte metafora më e bukur në karrierën politike të Bersishës, por sa janë gjasat që të ndodh kjo, është një pikëpyetje tepër e madhe.

Amarildo Yzeiri, në takim me kryeministrin Berisha u duk të ishte tepër modest. Ai na krijoi emocione për faktin se u paraqit shumë bindshëm se një akt të tillë nuk e kishte bërë për t’i shërbyer politikës, por një gjë të tillë e kishte bërë për ta mbrojtur dhe ruajtur simbolin e shtetit, detyrë kjo e çdo qytetari. Kjo pamje e këtij akti solemn ndërtonte imazhin se në këtë mënyrë ishte shpëtuar shteti nga grusht shteti. Dhe nuk mund të kishte konotacione tjera ky akt i shfrytëzuar nga pushteti. Në mesin e atyre pamjeve të shumta shkrumbi, kjo pamje ishte e vetmja që mund të ndërtonte ndjenjën e ngushëllimit dhe atë të shpresës.

Po flamuri i Amiraldos a mund të konsiderohet si fakt se shteti ka shpëtuar nga bandat rrënuese të tij? Sigurisht që jo, sepse çështja shqiptare vazhdon të jetë më shumë se e komplikuar. E para, shqiptarët ende nuk kanë ndërtuar dinjitetin dhe identitetin e shembur nga një sistem i mbështetur dhe i dërmuar brenda një koncepti internacionalist, i cili ka bërë që njerëzit e shtetit të bunkerizuar të shpërbëhen plotësisht në emër të masave proletare. Për pesë decenie shqiptarët bënë jetë urithësh. Pasojat e kësaj jete nuk mund të sanohen shpejt. Kjo masë e qulltë ideologjike zor e ka të kthehet brenda identitetit dhe dinjitetit të vet.

E kanë zor ta heqin nga vetja gjithë atë akumulim të huaj që kanë mbjellë në shpirtrat e tyre, së pari të zbrazur nga besimi në Zotin, pastaj të mbushur me mosbesim në veten dhe në vendin e tyre. Në kontekst të kësaj edhe duhet kundruar idenë për bartjen e modelit të revolucionit tunizian në Shqipëri, gjë të cilën e proklamoi opozita që para ditës së zezë. Të importosh modele nga kontinente të tjera në mes të Evropës, siç ishte ai i Revolucionit Kulturor Kinez, nuk është më pak se një shenjë tmerruese për perspektivën e shqiptarëve.

E dyta, fakti që në Shqipëri tash e dy decenie ende nuk ka një datë të vetme për festën e flamurit flet më së miri për këtë që u tha më sipër. Kjo mbase forcohet me faktin se flamujt partiak kanë shumëfish më shumë kuptim se ai shtetëror, përkatësisht kombëtar. E treta, demonstruesit piromanë keqpërdorën flamurin kombëtar dhe shtetëror sall për të mbështjellë me të hunjtë me të cilët duhej të sulmohej policia e shtetit. Kjo u pa qartë dhe u dëshmua katërçipërisht.

Një i urtë nga ish kampi socialist është shprehur në mënyrë lapidare kur ka thënë: “Komunistit mund t’i presësh dorën, por gishti do t’i lëvizën edhe pas dyzet vjetësh”. Duket ashiqare se Shqipëria jo që nuk e ka prerë dorën komuniste, por nuk ka mundur ta zbus as grushtin komunist. Edhe e premtja e zezë dëshmoi se nuk ishte gjë tjetër pos një luftë ku shtihej nga dy kampet partiake, të cilat nuk kanë arritur ta konceptojnë shtetin përtej partisë së tyre.

Nëse dihet se në çdo lloj lufte së pari në shënjestër vihet e vërteta, e vërteta në Shqipëri është vrarë qëmoti. Që nga viti i kobshëm 1997 lufta mes kampeve zhvillohet nëpërmjet gënjeshtrave monstruoze për të imponuar secili kamp të “vërtetën e tyre”. Për këtë arsye kampet janë pajisur me media të fuqishme, duke i shndërruar ato në lavatriçe për pastrimin e parasë publike dhe të asaj që vije nga ekonomia informale dhe krimi i organizuar. Imagjinojeni si zhvillohet kjo luftë e turpshme; Berisha përcjell luftën nga ekrani i TV “Klan”, ndërsa Rama nga ekrani “TCH”!? Qytetarët nuk janë më shumë se partizanë të zakonshëm, të instrumentalizuar deri në shkallën sa të detyrohen të kërkojnë strehim në ndonjë kamp sall për sigurinë e tyre fizike.

Me të vërtetën publikisht abuzohet kur thuhet se Rama është lider i opozitës. Rama është kryebashkiak i kryeqendrës së Shqipërisë dhe si i tillë është i veshur me mjaft pushtet. Në këtë kuptim ai nuk është opozitar, por pushtetar. Duket një konstruksion i thjeshtë fakti se në Shqipëri përballet opozita me pozitën. E vërtetat është se përballen dy pushtetarë për më shumë pushtet, për pushtet absolut. Rama kërcënon Berishën se do t’ia marr kryeministrinë, Berisha kërcënon Ramën se do t’ia marrë bashkinë. Kështu del se lufta zhvillohet për Tiranën e jo për Shqipërinë. Në Tiranë janë të koncentruar pushteti dhe paraja, të cilat diktohen nga strukturat mafioze, të cilat, siç ka vërejtur edhe Saviano, paratë e tyre bëhen më të dukshme në beton.

Në këtë luftë të pakuptimtë dhe të mbështetur në shpifje sigurisht se më së shumti do të humbin qytetarët e këtij vendi, të cilët në vend se të përjetojnë vitin më të suksesshëm në jetën e tyre, ata do të përjetojnë një vit tepër të zymtë dhe me të papritura të frikshme. Në këtë mënyrë zor është të besohet se do të ruhet shkëlqimi i flamurit të mbrojtur nga pjesëtari i policisë shqiptare, Amarildo Yzeiri, i cili me aktin e tij ka ndërtuar një imazh që mund të përdoret në favor të së ardhmes së këtij vendi, e cila momentalisht është rrezikuar tepër shumë.

Po të shikohet në një kontekst tjetër del se polici Yzeiri u përball me deputetin Dritan Prifti. Në fakt doli që këta dy të jenë personazhet kryesore të së premtes së zezë. Nëse Prifti i ndihmoi Berishës në bërje të qeverisë, ai u përballë ashpër me Yzeirin në rrënimin e po kësaj qeverie. Sigurisht që shqiptarët me shumicë shpresojnë që në këtë luftë të pistë të kampeve partiake, të fitojë polici Yzeiri, gjë të cilën edhe e dëshirojnë faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, përkatësisht ata që investuan më së shumti në perspektivën euroatlantike dhe evropiane të Shqipërisë.

Ditët në vazhdim do të dëshmojnë se sa rëndë vazhdon të peshojë mbi shqiptarët miti i Rozafës. /Express/

KOMENTE