English

Me Gruevskin s’ka integrim

"Politikat e kësaj Qeverie që drejton Gruevski, e që çojnë në miqësi me Mugaben e Zimbabves dhe Llukashenkon e Bellorusisë duhet shpejtë dhe fuqishëm të denoncohen me të gjitha format e veprimit demokratik në institucione dhe jashtë tyre. Ato pak mediume që i rezistojnë edhe më tej kontrollit nga Gruevski gjithnjë e më shumë duhet të krijojnë hapësirë për debat i cili do të rris disponimin kundërshtues të qytetarëve kundrejt kësaj Qeverie"...

Nga Ismet Ramadani

Vetëm një ditë pas takimit të liderëve të partive kryesore në Jasen, me ftesë të Presidentit të shtetit Ivanov, lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, në cilësinë e kryeministrit deklaroi se zgjidhja e kontestit me Greqinë për emrin është e shkruar në faqen 146 të programit të partisë që ai drejton. Sa për të përkujtuar opinionin dhe partnerin shqiptar në Qeveri, në faqen 146 të “Rilindjes në 100 hapa”, mes tjerash, shkruan se VMRO-DPMNE-ja nuk do të pranojë kompromis i cili imponon ndryshimin e kushtetutës dhe emrit kushtetues, nuk do të pranojë ide dhe propozime që do të cenojnë identitetin nacional maqedonas, kombin maqedonas dhe gjuhën maqedonase dhe se një zgjidhje eventuale duhet paraprakisht të konfirmohet nga qytetarët përmes referendumit.

Kjo deklaratë e liderit të VMRO-DPMNE-së, njëherit edhe si Kryeministër i Qeverisë, për të satën here na e bën me dije se ai as që e ka ndërmend të zgjidh kontestin me Greqinë për emrin dhe fare nuk i bëhet vonë për integrimet euroatlantike. Se çka mendon dhe çfarë qëndrimi ka lideri i BDI-së për emrin dhe integrimet euroatlantike nuk ka kurrëfarë rëndësie për Gruevskin, përkundrazi, me cinizmin e tij e komplimenton ate si njeri që e mban fjalën, si njeri të besës. Në fakt me këtë besë, qoftë edhe nga një politikan i respektuar shqiptar, gjithnjë e më shumë po ngritet vet lideri i VMRO-DPMNE-së për t’i thënë “ndal” integrimeve euroatlantike dhe “jo” aspiratave tona për barazi dhe bashkim shpirtëror dhe kulturor ndërshqiptar në një Europë të bashkuar. Ndoshta këtu edhe qëndron krejt ky frenim dhe kundërshtim për zgjidhjen e problemit “emër” sa për të mbyllur perspektivën e vendit drejt anëtarsimit në NATO dhe BE? Të jemi të bindur dhe koshient, Gruevskit dhe klikës së tij nuk i konvenon në asnjë variant integrimi i shqiptarëve as këtu në sistem, as në rajon me dy shtete shqiptare, as në NATO dhe BE. Pse? Sepse ai dhe bashkëmendimtarët e tij, të cilët nuk janë pak, konceptin politik e ndërtojnë mbi platformën antishqiptare, e kjo në vazhdimësi ju bëhet pengesë për integrime euroatlantike. Këtu qëndron problemi!

Kryeministri Gruevski, i mbajtur me peptidet e BDI-së, po bëhet gjithnjë e më i majmë në politikën e këtij vendi dhe me veprimet e tij të pakontestueshme, po ecën sigurt drejt sistemeve diktatoriale me një shkelje “dabëll” mbi interesat e shqiptarëve. Prandaj: kur ai thotë se nuk ndryshohet emri, ashtu edhe bëhet; kur ai thotë se s’ka integrime euroatlantike, ashtu edhe bëhet; kur ai thotë se s’ka implementim të Marrëveshjes së Ohrit, ashtu edhe bëhet; kur ai thotë se s’ka investime dhe para për viset ku jetojnë shqiptarët, ashtu edhe bëhet; kur ai thotë se shqiptarët duhet të mbahen të pafajshëm në burgje, ashtu edhe bëhet; kur ai thotë se shqiptarët nuk do të regjistrohen aq sa janë, ashtu edhe do të bëhet… me një fjalë, bëhet vetëm ashtu siç thotë Gruevski. Kush po ia jep këtë (vet)kënaqësi? Ju, të nderuar lexues, e dini edhe më mirë se unë! Brengosës është fakti se vetëm ne shqiptarët e Maqedonisë në mënyrë demokratike e pranojmë vazalitetin dhe nënshtrimin edhe kur të gjitha favoret në rajon janë në anën tonë.

Opozita shqiptare dhe ajo maqedonase, ngadalë po sigurt po e ofrojnë alternativën e tyre që do ta kishte falimentuar këtë “kompani-Qeveri” që po i shkakton aq shumë humbje shtetit duke e larguar nga integrimet euroatlantike. Ka mendime të folura dhe të shkruara që krijojnë një bindje se edhe ata të opozitës nuk janë më të mirë, se edhe ata nuk mund ta ndryshojnë këtë gjendje të rëndë politike, ekonomike dhe sociale në vend. E sigurtë është se më të mirë janë ata që shtetit i hapin portën e integrimeve euroatlantike, e pastaj regullat e lojës fitimtare për jetë më të mirë vendosen nga sistemi dhe standardet e botës demokratike, pjesë e të cilës synojmë të jemi edhe ne. Pra, një koalicion tjetër qeveritar mjafton ta bëj një hap përtej, sa për të kapërcyer pengesën “emër” drejt anëtarsimit në NATO dhe BE. Pastaj është më lehtë, qytetarët shpërblehen për punën që e bëjnë, kriminelëve dhe korrupcionit iu ngushtohet rrethi, fillon së funksionuari si duhet shteti juridik, politikanët privohen nga beneficionet e pamerituara, rriten investimet, hapen vende të reja pune, zhvillohet ekonomia dhe gjithçka shkon kah e mira.

Politikat e kësaj Qeverie që drejton Gruevski, e që çojnë në miqësi me Mugaben e Zimbabves dhe Llukashenkon e Bellorusisë duhet shpejtë dhe fuqishëm të denoncohen me të gjitha format e veprimit demokratik në institucione dhe jashtë tyre. Ato pak mediume që i rezistojnë edhe më tej kontrollit nga Gruevski gjithnjë e më shumë duhet të krijojnë hapësirë për debat i cili do të rris disponimin kundërshtues të qytetarëve kundrejt kësaj Qeverie. Qytetarët kanë nevojë përfundimisht të kuptojnë dallimit e të qenurit jashtë dhe të qenurit brenda NATO-s dhe BE-së, çka sjell integrimi dhe çka izolimi dhe miqësia me shtetet që kanë “embargo” nga SHBA-të.

Se integrimi është i dobishëm flasin shembuj të shumtë të shteteve ish-socialiste hiç më larg se në Ballkan, shtete që sot janë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Kësaj rradhe po e marr si shembull Hungarinë, shtet ish-socialist, tnai kryesues me BE-në në gjashtë muajt e ardhshëm. Gjatë këtyre gjashtë muajve të kryesimit, Hungaria si kryesuese e BE-së do të disponojë me 85 miliardë euro buxhet të BE-së, do të jetë nikoqire e më shumë se 260 takimeve dhe konferencave të niveleve të ndryshme të shteteve-anëtare të BE-së. Kapacitetet administrative, hotelierike, turistike, komunikuese, transportuese, me një fjalë, të gjitha resurset e shtetit do të jenë në funksion të kryesimit me BE-në. Ky pozicion i Hungarisë, sa është prestigjioz dhe afirmativ, aq është edhe fitimprurës për vet shtetin dhe qytetarët e saj. Të përkujtojmë, Hungaria u bë anëtare e BE-së në vitin 2004 dhe vetëm pas gjashtë viteve kryeson me BE-në. Merreni me mend sikur edhe ne të ecnim në rrugën integruese pa hile dhe me përkushtim më ambicioz. Ndoshta sot do të ishim në një rradhë të pritshme dhe jo shumë të largët për të kryesuar edhe ne me BE-në…

Atëherë, si do të rreshtohemi ne shqiptarët për të shpëtuar prej kësaj Qeverie që po na shpie në qorrsokak, duke na humbur shpresën e të qenurit bashkë me shtetet më demokratike dhe më të zhvilluara në botë? Me opozitën po se po, por si ta bindim z. Ali Ahmeti të dalë nga kjo Qeveri që drejton Gruevski, për të dëshmuar vetëm një herë se shqiptarët nuk i japin besën atyre që kalërojnë mbi dinjitetin e tyre? E dijmë, z. Ahmeti është i lodhur nga disa struktura të interesit në partinë që udhëheq, por edhe vet, me ose pa vetëdije ka toleruar një veprim të tillë i cili rezulton i dëmshëm për shqiptarët. Ne që mundohemi të krijojmë opinion, pa hezitim duhet ta inkurajojmë liderin e BDI-së për një veprim që do të hapte rrugën euroatlantike për të mirën tonë të përgjithshme. Megjithatë, është koha që fytyra e zezë t’i mbetet Gruevskit! Sa më shpejtë, aq më mirë!

NOA

KOMENTE