Tiranë, 30 Janar 2011 NOA / Ervin Tirana– Një 37 vjeçar nga Burreli i është hakërryer Edi Ramës për vrasje, në shenjë hakmarrjeje për dëmtimin e automjetit të tij.
Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i thanë agjencisë NOA se Luan Rami, 37 vjeç, nga Burreli me banim në Tiranë, është personi që ka tentuar të planifikojë vrasjen e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Sipas të njëjtave burime, Luan Rami ka konstatuar pas demonstratës së 21 janarit të opozitës, se automjeti i tij, ishte dëmtuar me zjarr nga demonstruesit, një pjesë e të cilëve degjeneruan në dhunë.
I irrituar nga ky fakt, Rami ka dashur të hakmerret dhe ka planifikuar të kryejë një hakmarrje pse jo publike, pikërisht më 28 janar, një javë më pas, në demonstratën e dytë të opozitës.
Madje i ka dërguar një mesazh z. Edi Rama duke i bërë të qartë se e shikonte atë përgjegjës për shkatërrimin e makinës së parkuar afër vendit të demonstratës. Mesazhi pak a shumë ka qenë: “Këtë do ta paguash me kokën tënde”.
Mësohet se mes Ramit dhe Ramës ka pasur komunikim me hakërrime me telefonata dhe SMS, por në orët në vazhdim ka ndërhyrë policia.
Kështu, para se të niste mesditën e së premtes 28 janar, demonstrata homazh, policia ka arritur që të zbulojë me sinjale të ardhura në rrugë operative dhe më tej duke përdorur metoda speciale hetimi, se Rami po përgatitej vetë i tretë të sulmonte Edi Ramën.
Menjëherë është bërë, paraditen e 28 janarit, arrestimi i të treve pohojnë burimet e mësipërme për agjencinë NOA.
Vetëm sot në mesditë, kur të dyshuarit dolën për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës, në një komunikatë zyrtare, Policia e Shtetit tha se “si rezultat i një hetimi të kryer në bashkëpunim nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, me qëllim parandalimin e një akti kriminal, më datë 28.01.2011, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i tre shtetasve”.
Ata janë:
1. Luan Zenel Rami, 37 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.
2. Fatos Hamit Rami, 29 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë.
3. Afrim Ali Kica, 33 vjeç, lindur në Burrel dhe me banim në Tiranë.
Ndalimi i shtetasve të mësipërm është bërë, pasi po siguronin kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasje, parashikuar nga neni 80, i Kodit Penal, tha Policia e Shtetit.
Ky nen i Kodit Penal, thotë: Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Policia tha se materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në ditën e demonstratës së dytë, gjithçka ka ecur në dy plane. E para, arrestimi i Luan Ramit dhe dy të dyshuarve të tjerë. E Dyta, ruajtja me një mori truprojash dhe agjentësh të veshur civilë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj doli sot para mediave duke folur mbi planin për të vrarë Edi Ramën dhe arrestimin e tre personave të dyshuar për kërcënimin e kreut socialist me vdekje.
“Më datë 27 janar, rreth orës 18:00, Policia e Shtetit mori informacion mbi një kërcënim të shtetasit Edi Kristaq Rama, nga shtetasi Luan Zenel Rami 37 vjeç, lindur në Burrel, me banim në Tiranë”, – sqaroi z.Burgaj.
Sipas informacionit paraprak në këtë kërcënim me SMS, Luan Zenel Rami kërkonte zhdëmtimin e automjetit të tij privat të dëmtuar gjatë protestës së 21 janarit, i cili ndodhej i parkuar përballë dy kullave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Nisur nga kjo situatë struktura qendrore e Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda mori masa të menjëhershme për identifikimin dhe shoqërimin e tre personave të mësipërm.
Të tre shtetasit e mësipërm u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë nga ora 21:00 e datës 27 janar deri në orën 04:00 të datës 28 janar.
Njëkohësisht Policia e Shtetit dhe strukturat përkatëse të Gardës së Republikës u njoftuan dhe morën masa për përforcimin e sigurisë fizike të shtetasit Edi Kristaq Rama dhe personaliteteve të larta shtetërore.
Si rezultat i një hetimi të kryer në bashkëpunim, nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, më datë 28.01.2011, nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve te lartpërmendur.
Z.Burgaj tha se materialet hetimore në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Po sot, Gjykata e Rrethit Tiranë dha masën e sigurisë arrest me burg 30 ditë afat për të konkluduar hetimet.
REAGON PS
Reagim i menjëhershëm ka qenë sot, i anëtares së Asamblesë Kombëtare të PS, Megi Ajtyresa, pas deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Ajo tha se ishte e turpshme dhe qartësisht kuptimplotë deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. I cili foli për një sms për zhdëmtim makine, duke treguar se në fakt nuk i shërben shtetit, por pushtetit.
Sipas PS “e vërteta është krejt ndryshe, drejtori duhet ta dijë mirë, ose nëse nuk e di, le të pyesë Komandantin e Gardës, se ai duhet ta dija akoma më mirë. Po nëse edhe ky nuk e di mirë, shqiptarët kanë dëgjuar të ashtuquajturin kryeministër të kërcënojë me jetën kryetarin e opozitës. I cili nuk ka bërë dhe nuk ka ndërmend të bëjë asnjë denoncim për kërcënimet që i janë bërë atij vetë e familjes së tij, jo me një sms për zhdëmtim makine, po me shumë paralajmërime për jetën e vet. Sepse në një vend ku, me urdhër të kryeministrit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ekzekuton urdhër-ndalimet e prokurorisë pas tre vrasjesh me pushkë nga Garda Republikane në mes të bulevardit, s’ka asnjë arsye të mendosh se kjo polici e dhunuar politikisht mund të mbrojë qytetarët nga pushteti”
Në emër të kryetarit të opozitës, Ajtyresa tha më tej: “Sqaroj se zoti Rama nuk ka ndryshuar mendim lidhur me pjesëmarrjen e tij në demonstratën homazh, kur është njoftuar nga truproja i tij, ky i fundit i informuar prej vetë Komandantit të Gardës, për ekzistencën e një plani për asgjësimin e tij fizik. Dhe as ka ndërmend të ndryshojë qëndrim e rrugë në krye të popullit opozitar, për asnjë arsye apo interes vetjak”.
e.t/NOA Siç e shikoni, shumë truproje ruanin Edi Ramën më 28 janar 2011 [media id=45 width=620 height=440]