English

Rama: Ne duam zgjidhje dhe do ta gjejmë duke larguar qeverinë

Tiranë, 30 janar 2011, NOA – Shefi i opozitës Edi Rama i ka bërë sot rishtas thirrje partnerëve ndërkombëtarë të SHBA-ve dhe BE-së të mos lejojnë më atë që po ndodh në Shqipëri pasi dhuna që po ushtron qeveria e kryeministrit Berisha ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese të vendit po çon në shembjen e një shteti që sipas Ramës tashmë është tejet i dobësuar. Kryesocialisti Rama theksoi se kjo situatë e rëndë në vend ka ardhur duke u përshkallëzuar pasi sikundër tha ai qeveria e Sali Berishës po kërkon të kontrollojë Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeprokuroren Ina Rama dhe SHISH-in.

Sipas Ramës ky kontroll po vjen përmes të ashtuquajturit Komision Hetimor Parlamentar ndaj puçit, i cili ka kërkuar të ketë si pjesë të hetimit edhe tabulatët telefonikë të Presidentit, Kryeprokurores dhe kreun të SHISH-it.

Sipas kreut të PS-së, të gjitha këto tentativa përbëjnë një plan makabër dhe janë të lidhura bashkë edhe me mosdhënien e dorëheqjes nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, me arrestimet e torturat e demonstruesve dhe me përbetimin për ekzekutimin e kryetarit të opozitës.

Duke iu referuar rrezikshmërisë së këtyre akteve të ndërmarra nga qeveria e kusarisë, Rama i bëri thirrje ndërkombëtarëve duke u thënë “Miq të dashur mos lejoni që të ndodhin në Shqipëri këto që po ndodhin në kurriz të popullit dhe shtetit të së drejtës”.

Në vijim të fjalës së tij kryetari i Opozitës theksoi se “opozita shqiptare është gati për dialog dhe kompromis për të mirën e shqiptarëve, por garantoi se kurrë nuk do pranojë statuskuonë e vendosur nga qeveria Berisha që pasi vodhi votat edhe po vret qytetarët e saj dhe po dhunon institucionet.

Ai i bëri një apel popullit opozitar se gjithë sa po ndodh dëshmon se sa poshtë ka rënë qeveria e këtij vendi, duke e kthyer vendin në një regjim kusarie dhe vrasës të popullit të vet.

Sipas Ramës të gjitha këto akte të dhunshme ndaj institucioneve tregojnë frikën e pamasë të një kryeministri që e di më mirë se kushdo që qeveria e tij ka vjedhur votat, një regjim që tashmë është vënë kundër Presidentit dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Qeveria ka rënë tha Rama, duke theksuar se “Ne jemi në këtë betejë bashkë me të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, jemi në këtë betejë për Shqipërinë që do paqe”, tha ai.

Shefi i opozitës siguroi se do ta çojë përpara betejën për largimin e qeverisë së kusarisë, pavarësisht tensionit të jashtëzakonshëm, që sikundër tha ai nuk do të çojë në humbjen e besimit tek forca e arsyes për një rezistencë paqësore.

“Pasi kjo është thjesht dhuna e të mbyturit që kërkon të të mbysë, dhe që kërkon të mbytë një popull të tërë me duart e një regjimi kusarie të mbledhura në një grusht njerëzish”, tha lideri i opozitës.

Rama bëri me dije se “Ne duam zgjidhje dhe do ta gjejmë atë duke larguar qeverinë”.

mit/NOA

KOMENTE