Tiranë, 30 janar 2011, NOA Update – Kontrolli i tabulateve telefonike të Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme, kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një numri deputetësh të opozitës nga Komisioni Hetimor Parlamentar është cilësuar nga kreu i opozitës Edi Rama si një përshkallëzim i të ashtuquajturit grusht shteti që kryeministri ka ndërmarrë ndaj institucioneve kushtetuese. Në një dalje të posaçme për shtyp pas tryezës me aleatët e koalicionit të majtë, lideri i opozitës akuzoi drejtëpërdrejt kryeministrin Sali Berisha për sulmin ndaj krerëve më të lartë të shtetit.
“Përshkallëzimi i grushtit të shtetit nga ana e Saliut me inkriminimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës, të Prokurores së Përgjithshme dhe të Drejtorit të Shërbimit Informativ, përveçse të opozitës po e po, ka vazhduar edhe dje përmes të ashtuquajturit Komision Hetimor”, theksoi Rama.
Sipas Ramës kërkesa për të disponuar tabulatet e telefonave të Presidentit të Republikës, të Prokurores, të Drejtorit të Shërbimit dhe të një numri të konsiderueshëm deputetësh është e paligjshme dhe e mjaftueshme për të kuptuar se vrasjet e demonstruesve dhe skenari që inkriminonte opozitën si organizatore të vrasjeve si dhe mosdorëheqja e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dëshmojnë planin makabër të kryeministrit për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura kushtetuese.
“As mosdorëzimi i gjashtë komandantëve të Gardës Republikane, as mos dorëheqja e Ministrit të Brendshëm , as nxjerrja e Policisë së Shtetit mbi ligjin, as arrestimet e torturat kafshërore të plot demonstruesve të pafajshëm nëpër komisariate, as sulmet rrugaçërore ndaj “Prokurores lavire” e “Presidentit horr”, as përbetimi për ekzekutimin e kryetarit të opozitës, as mosgarantimi i demonstratës homazh nga policia, nuk janë pa lidhje me njëra-tjetrën, po janë pjesë e një plani makabër për të imponuar në Shqipëri sistemin e dhunës e të frikës, në kushtet kur populli kërkon fundin e regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut”, deklaroi Rama.
Kreu socialist u bëri sërish thirrje partnerëve ndërkombëtarë për të mos toleruar shembjen e shtetit dhe daljen e tij jashtë kornizave ligjore vetëm e vetëm sepse kryeministri nuk mund të jetë dakord me institucionet e pavarura.
“Apeli ynë ndaj botës demokratike, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian sot është: Dhuna ndaj institucioneve përmes barbarisë antikushtetuese të një qeverie të dalë tërësisht nga korniza e ligjit dhe të një kryeministri të dalë krejtësisht nga binarët e arsyes, po kërcënon shembjen e plotë të një shteti të dobësuar sistematikisht përmes goditjeve të përsëritura ndaj pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Kjo dhunë zbulon në të gjithë përmasën e vet rrezikshmërinë që kjo qeveri dhe ky kryeministër paraqesin për këtë vend qyshse vodhën votat për të vjedhur Shqipërinë”, tha Rama.
Sipas tij, kjo dhunë ilustron më së miri situatën rrëqethëse të vendit dhe fuqinë e verbër që kanë sot korrupsioni e krimi në përcaktimin e vijës së sjelljes së qeverisë.
“Mos lejoni që në Shqipëri të vijojnë të ndodhin këto që po ndodhin dita-ditës në kurriz të idesë së shtetit ligjor dhe të popullit shqiptar, që kurrë nuk do ta pranojë rikthimin në kohën e errët të partisë-shtet, e të shtetit-parti. Çdo ditë që kalon e bën më të vështirë ekuilibrin e domosdoshëm që garanton stabilitetin e vendit. Ne, opozita shqiptare, jemi gati për dialog e kompromis në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve, po kurrë nuk do ta pranojmë statuskuonë e regjimit të kusarisë si stabilitet dhe as do të falim liri thelbësore të këtij populli për një siguri të përkohshme që vetëm do të rëndojë faturën e nesërme të kësaj krize të jashtëzakonshme”, nënvizoi më tej shefi i opozitës.
Duke shprehur bindjen se qeveria aktuale është tashmë e rrëzuar Rama u bëri apel qytetarëve të mos frikësohen nga sulmet dhe gjuha e kryeministrit, por të besojnë tek opozita dhe beteja e saj për të rikthyer vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës. “Gjithë sa po ndodh thjesht po na provon se sa poshtë ka rënë qeveria e këtij vendi dhe se në çfarë rreziku është sot Shqipëria e shteti i shqiptarëve për shkak të kësaj qeverie të kthyer në një regjim kusarie që vodhi votat për të vjedhur vendin dhe së fundmi edhe vrau për të mos u përballur me të vërtetat e tmerrshme të korrupsionit të saj, sqaroi Rama. Ai garantoi se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për largimin e kësaj qeverie. “Ne jemi në këtë betejë bashkë me qytetarët, për Shqipërinë që duam. Të cilën e pa mbarë bota në homazhet e paharrueshme të 28 janarit. Dhe do ta çojmë përpara betejën tonë pa asnjë ngurrim, më të vendosur e më të bindur se kurrë për detyrimin atdhetar që kemi ndaj vendit të marrë peng në këto kohë të rënda kur, pavarësisht tensionit të jashtëzakonshëm që ka provokuar kusaria e dhuna shtetërore, nuk duhet ta humbim për asnjë sekondë besimin tek forca e arsyes së mishëruar në një rezistencë paqësore që kurrë s’duhet të provokohet nga dhuna qeveritare e as të reagojë dhunshëm ndaj kësaj dhune”, u shpreh kryesocialisti.
Sipas tij është e pamundur që kjo dhunë të mposhtë një popull të tërë dhe aspiratën e tij për një Shëipëri evropiane.
“Ne duam zgjidhje e duhet ta gjejmë atë duke larguar qeverinë, jo duke lënduar Shqipërinë”, deklaroi Rama.
mit/NOA