Shkodër, 30 janar 2011, NOA – Patrulla Kufitare e qytetit të Shkodrës ka sekuestruar 26 kg e 170 gram bimë narkotike cannabis sattiva, të ndara në 26 qese plastmasi, por nuk ka mundur dot të identifikojë dy personat që po e transportonin. Sipas uniformave blu të Shkodrës sasia e bimëve narkotike u zbulua mbrëmë në orën 18.30, në vendin e quajtur « Lapidari i Ushtarit », që ndodhet në Komunën Kastrat të rrethit të Malësisë së Madhe.
Ka qenë patrulla e Policisë Kufitare që konstatoi dy shtetas të paidentifikuar, që po lëviznin në drejtim të vijës së kufirit, të cilët duke kuptuar lëvizjen e policisë janë larguar duke lënë në tokë, dy thasë të cilët mbanin bimët narkotike.
Policia bën me dije se dy personat u fshehën në terrenin malor të kufirit duke i shpëtuar identifikimit të tyre edhe për shkak të errësirës.
Më pas me mbërritjen në vendngjarje të skuadrës antidrogë të Policisë së Shkodrës rezultoi se thasët përmbanin gjithsej 26 kg e 170 gram, të ndara në 26 pako plastike të tejdukshme, të mbushura me lëndë bimore, në gjendje të tharë.
Uniformat blu të Shkodrës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që materialet e çështjes i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për procedurëbn e mëtejshme.
mit/NOA