English

Topalli: Liza Vorfi, aristokrate e veçantë dhe grua moderne

Tiranë, 30 janar 2011, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli zhvilloi sot homazhe në nderim të aktores Liza Vorfit, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 86-vjeçare. Pasi u takua edhe me familjarët e të ndjerës, kryeparlamentarja Topalli në mesazhin e saj për mediat tha se “Ndahet nga jeta një artiste shumë e shquar, themeluese e teatrit në Shqipëri”.

Zonja Topalli vlerësoi se Liza Vorfi për më tepër ishte një grua jashtëzakonisht moderne për kohën.

Ajo e cilësoi aktoren Vorfi si një aristokrate shumë të veçantë, gjë që sikundër tha Topalli e ndjen edhe në të gjitha rolet e saj në teatër dhe në filma.

“Sot kemi humbur një pjesë të thesarit të kulturës sonë”, përfundoi mesazhin e saj në nderim të aktores Liza Vorfi.

Aktorja e njohur Liza Vorfi gjatë karrierës së saj, i ka dhënë jetë më shumë se 60 personazheve në skenën e teatrit dhe në filma artistikë.

Vorfi ka interpretuar në role të tilla si Elmira “Tartufi”, Dezdemona “Otello”, Dorina “Borgjezi fisnik”, Beatriçja “Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia “Karnavalet e Korçës”, Marta “Cuca e maleve”, Mara “Përmbytja e madhe” e mjaft role të tjera.

mit/NOA

KOMENTE