English

Zgjedhjet lokale, mblidhet kryesia e LSI

Tiranë, 30 janar, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledh sot kryesinë e saj për të diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve vendore dhe situatën politike në vend. Burime nga LSI-ja, thanë për Agjencinë e Lajmeve NOA se takimi do të zhvillohet në orën 13:00 në selinë e kësaj partie. I pranishëm në këtë takim do të jetë dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Pritet që kryesia të marrë një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale që janë përcaktuar në datën 8 maj.

Burime nga LSI-ja shtojnë se kryesia do të vendos si afat përfundimtar për prezantimin e kandidaturave për zgjedhjet e datës 8 maj, datën 15 shkurt. Brenda kësaj date të gjitha strukturat do të kenë gati emrat e kandidatëve për kryetar bashkie dhe komune, si dhe emrat për kandidatët e LSI-së që do të marrin pjesë në garën për këshilltarë të këshillave bashkiak.

Pritet që kreu i LSI-së të mbaj një fjalim në fillim të këtij takimi. Pas dorëheqjes nga funksionet zyrtare, kreu i LSI-së, Ilir Meta është fokusuar në punën partiake. Ai pritet të zhvillojë takime në mjaft qytete të ndryshme të vendit me qëllim forcimin e strukturave të partisë dhe marrjen e një rezultati sa më të madh në zgjedhjet vendore.

a.k/NOA

KOMENTE