Shkodër, 31 janar 2011, NOA - Pas largimit nga strukturat e Partisë Socialiste drejt LSI-së të ish-Kryetarit të degës së PS-së në Shkodër, Edip Shiroka bashkë me 27 anëtarë të Asamblesë së PS-së dhe largimit të Kryetares së Forumit të Gruas Socialiste, sot janë larguar nga PS përdrejt Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe rreth 60 të rinj e të reja të Forumit Rinor Euro Socialist (FRESSH). Kreu i të rinjve socialistë e argumentoi largimin e 60 të rinjve me distancimin nga Partia Socialiste për shkak të dhunës së ushtruar në 21 janar nga një grup banditësh të frymëzuar dhe drejtuar nga Edi Rama mbi institucionin e Këshillit të Ministrave me synimin e qartë të marrjes së pushtetit me dhunë. Në një deklaratë të posaçme për këtë largim, të rinjtë e FRESSH-it dënojnë me indinjatë dhe zemërim aktet e dhunshme e kriminale të grupeve të frymëzuara nga Edi Rama, të cilët në 21 janar sulmuan policinë, dogjën dhe vranë njerëz në bulevardin e Tiranës, pranë selisë së kryeministrisë.
Të rinjtë socialistë shprehin zhgënjimin e tyre dhe të masës së anëtarëve të ndershëm të PS-së ndaj lidershipit Rama, që sikundër theksojnë të rinjtë keqpërdori emrin e Partisë Socialiste.
“Ne largohemi në një kohë kur Partia Socialiste po përdoret vetëm për të mbrojtur interesat e Edi Ramës dhe të klikës së tij që nuk e ka për gjë të djegë e
shkatërrojë, të hedhë e poshtërojë simbolet dhe dinjitetin kombëtar”, deklaroi largimin nga Forumi Rinor Eurosocialist i Shkodrës dhe bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim, një grup të rinjsh nga Shkodra.
Të rinjtë e argumentojnë largimin e tyre drejt LSI-së pasi sikundër thonë ata “Ideali ynë është ideali që bashkon rreth vlerave të socialdemokracisë
njerëzit e paqes, ata që respektojnë ligjet dhe institucionet e shtetit të së drejtës, dhe jo bashkimin për akte dhune e vandalizmi siç i do njerëzit Edi Rama”.
“Të gjitha këto Edi Rama, i bën se ai nuk është socialist, sepse ai nuk i do
socialistët, sepse ai duke punuar kundër interesave të vendit, punon edhe
kundër interesave të socialistëve”, deklarojnë të rinjtë eurosocialistë të Shkodrës.
Sipas të rinjve pranë LSI-së ata mund të përfaqësojnë më mirë interesat e votuesve të majtë.
mit/NOA