Nga Fatos Lubonja
Le ta mbyllim me precedentë. Pikërisht me precedentët e Sali Berishës, duke thënë vetëm në fund të këtij teksti sepse precedentë janë vetëm të tijët, ose pse ai i vetëm është krimi ndërsa të tjerët janë ushtarë dhe vogëlima. Një prelud që na rivjen. A ju kujtohet tek hidhej monumenti i Enver Hoxhës në qendrën e kryeqendrës? A ju kujtohet një ushtarak që nuk ia pamë kurrë fytyrën tek sulej mbi protestuesit si titan me armë në dorë? Nëse jo rishhni imazhet. E quajtëm të çmendur, fanatik. E merrnim si simbol të së keqes, pa ditur se do të vinte një ditë që ai do të shtohej në numër. Dhe kur? Kur disa të vobektë përpiqeshin të hidhnin në mënyrë të vobektë dhe pa ide, të drejtuar nga një psikopat bashkiak, një figurë mjerane që guxon e krahasohet me forcën kushtetuese të këtij vendi. A ju kujtohet se ç’tha xhelil Gjoni e të tjerë për hedhësit e monumenteve: Huliganë, dhe po ashtu tha për rrënuesit e kufijve po në qendër të Tiranës (për ata që nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë: po flas për korrikun 1990). Tani ky prelud mjeran rivjen, veçse nën figura të reja që Ramiz Alia do i kish zili po të ishin të fjalorit të kohës së tij: puç, banda të organizuara të krimit dhe drogës. Gjithnjë ata që hedhin poshtë janë huliganë dhe puçistë dhe ata që hidhen poshtë janë kushtetues dhe institucione. Por janë thjesht shëmtia, gjymtimi estetik i këtij vendi, ashtu si dikur Xhelil Gjoni. Shëmtia që i bën shqiptarët të largohen në të njëjtën formë dhe me të njëjtin tmerr. Një 18 vjeçar ishte në atë korrik më i denjë se të gjithë politikanët e Shqipërisë. Po ja u citoj:
Po ikin Copa-copa Brenga-brenga Nëmur dhe zbuar Koka në duar
Po ikin Ai fat i vjetër i gënjeka Po ikin Po ikin Nga nëna e çmendur te njerka
Po ikin Po ikin Veç pluhuri ngrihet t’i shohë nga pas Për ta s’lejojnë As vaj As gaz
Fitorja e madhe e Sali Berishës: tani po u japim nga një vizë dhe po i ftojmë me të njëjtin ngadhnjim drejt fatit tragjik dhe tradhtisë komike. Përmbyllja e artikullit është kjo që sapo thashë. Por hapja është e pafund. Ajo është numërimi i precedentëve të Sali Berishës.
Fakti: 2 Prill: katër dëshmorët e vërtetë të demokracisë. Vrasësi nuk u gjet kurrë dhe vëllai i Arben Brocit u bë gjyqtar.
Precedenti: demokracia u mboll sipas mitit të Rozafës me një viktimë që injoron lumturinë që do të sjellë ngujimi i vet dhe me tre vëllezër që nuk do të gjejnë më dashurinë dhe paqen midis tyre.
Faji i Berishës: gjenezë antropologjike e së keqes. Faji im se e quaj këtë gjenezë jo antropologjike, por an-tropike, sikur të thoja e keqe pa figurë, pa stil, e drejtpërdrejtë; ose antrop-ike, sikur të thosha thjesht e qartë se nuk kemi të bëjmë me modelimin e vetive të njerëzores, por me zhdukjen e vet njeriut.
Faji i Berishës: na mëson që të konstatojmë vdekjen e dikujt në punësimin e njërit prej familjarëve të tij. Besoj e kuptoni që e njëjta gjë ka prekur dhe gruan e Azem Hajdarit.
Fakti: besoj se e kujtoni se sa bukur u fshi mundësia e kthimit të pronës, me krijimin paralel të të paktën tre standarteve të pronës: Në qytet i kthehet prona atij që mund të kapërcejë gjyqet. Në fshat nuk i kthehet askujt, por prapë për disa është e mundur pamundësia. Dhe po në fshat kryhet reforma agrare që i jep fshatarit një pronësi të tokës që ai ende sot nuk e di.
Precedenti: Të gjithë e dini se cili është rezultati i pronësisë në Shqipëri. Prona nuk u kthye që të mos krijoheshin probleme sociale, u tha atëherë. Sot e dimë se mbi të njëjtën pronë ka disa pronarë, siç e dimë dhe numrin e pamatë të vrasjeve për pronën, siç e dimë dhe që nuk është zgjidhur asgjë, siç e dimë që u shkatërrua dhe baza e ekonomisë së vendit. Por siç dimë mirë se shqiptarit i mbeti si mundësi të vjedhë pronën dhe jo ta gëzojë atë.
Faji: Masa e krimit të kthimit të shqiptarit në vrasës dhe hajdut i faturohet Berishës. Miti i këtij rasti do të ishte i thjesht më modern se moderniteti: Përsa kohë të vrasësh dhe ta gjesh këtë punë fitimprurëse, mësohu ta quash dhe fisnike.
Fakti: Pas gabimit monstruoz të Neritan Cekës tek kthente njerëzit drejt qendrës së diktaturës (sheshi) dhe jo drejt qendrës së krimit (bllokut), erdhën dënimet qesharake të nomenklaturës, përsëritje makabre mbi të gjithë të dëbuarit, persekutuarit dhe të vrarët politikë të stalinizmit.
Precedent: Në këtë vend krimi i madh nuk do të ndëshkohet. Për të qenë të pandëshkueshëm e bëni krimin sa më të madh dhe prodhoni sa më shumë viktima. Ju e shihni se midis mitit dhe precedentit nuk ka ndonjë dallim, nëse nuk shtojmë shtrirjen e natyrës së qeverisjes. Po të jesh diktator ka mundësi t’ia hedhësh.
Faji: Unë, në lëkurën dhe në përgjegjësinë time, përtej daljes sime në të gjithë mediat e vendit, gjest dhe përpjekje për të harruar sado pak që ky vend më ka dëbuar prej viteve të rinisë sime, bëj sikur jam i rehabilituar dhe sikur dikush më ka kërkuar falje. Më dhanë ca monedhë për jetën time dhe i pranova, për të vërtetuar se përpjekja e Berishës si sekretar Partie është thjesht të harrojmë ekzistencën e Spaçit. Unë nuk e kam harruar: do të luajë rolin e të vdekshmit për sa kohë që jam i vdekur, pra i parehabilituar, i pasjellë në jetë. Me rehabilitimin tim do t’i ngjaja ndopak mitit të besës së dhënë dhe kthimit të Kostandinit mes jush. Ndoshta do të isha unë Doruntina. Më falni për mungesën e modestisë, por krahasimi im bëhet i mundur prej lartësisë së krimit moral të Berishës kundrejt të gjithë viktimave të hoxhizmit.
Fakti: Besoj se ju kujtohet se si u soll mbreti i shqiptarëve, ai që pak më parë qe përzënë me shqelma. Domethënë u përzu dhe u soll po nga Berisha. Për hir të ndryshimit të Kushtetutës – që për të është jo kushtetutë por një leckë – dhe mbajtjes së pushtetit prej tij.
Precedenti: Historia e Shqipërisë na është dhënë për të luajtur me të. Miti i historisë është në rastin e tij më i fortë se në rastin e çdo partizani të antihistorisë si histori e fitimtarit. Ajo kthehet për të në disiplinë të mashtrimit të kulluar. Ne e dimë se nuk mund të besojmë më në të, nga dhe rrjedhin buletinët e historisë që përgatiten me synime pedagogjike.
Faji: Me tezat për rishkrimin e historisë ai nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka dhënë dorë të gjithë mediokërve si Paskal Milo apo Valentina Duka, etj. të luajnë në disiplinën e historisë si pa të keq. Kur historia manipulohet, historianët janë mani pulite (duart të pastra).
Fakti: 26 Maj 1996 dhe mitingu i opozitës për të deklaruar se u vodhën votat. Votat u vodhën me një dhunë të pashoqe dhe u aktivizuan dhe kriminel ordinerë, që kishin dalë falë shërbimit që do të kryenin për PD-në ditën e zgjedhjeve.
Precedenti: Thjesht nuk ka demokraci.
Faji: Berisha nuk ka faj. Edukimi i vetëm politik që kishte marrë ishte ai i shkollës së Enver Hoxhës.
Fakti: Vetëm dy ditë më pas, kundër 1000 vetëve ishin angazhuar të gjitha uniformat ushtarake dhe policore që përmban ky vend.
Precedenti: është po ai më sipër, veçse i zgjeruar në aktin e dhunës, por më i keq dhe precedent më vete, ndoshta më i rëndi dhe më kombëtari: kundër popullit u përdorën dhe trupa të ushtrisë. Për herë të parë populli pa se e kishte ushtrinë kundër tij. Ushtria që është për mbrojtjen e popullit dhe kufijve u fut në luftë me popullin e vet. Këtë precedent do ta shohim në faktin 8.
Faji: Krim kombëtar i përdorimit për pushtet të një përmase kushtetuese të kombit dhe ruajtëse të popullit, ushtrisë. Luftë kundër një përmase shoqëroro-politike që është kundërshtari politik. Nëse Berisha duhet ta justifikojë qëndrimin e vet, një ditë e tillë do të vijë kur t’i duhet ta bëjë një gjë të tillë, duke argumentuar që partia socialiste dhe të gjitha versionet e saj janë të drejtuara prej lobeve serbe dhe greke.
Pasi zhduku pronën Berisha ndërtoi me shumë lehtësi ëndrrën e shqiptarëve për pasurim të menjëhershëm: piramidat. Nuk mund të mohojë kurrë se ato aktivitete ishin të paligjshëm, sepse doli me Vehbi Alimuçën disa herë në publik dhe deklaroi se lumturia e shqiptarëve ishte realizuar. Në fakt shqiptarët u ulën këmbëkryq në kafe dhe bilardo duke treguar kështu se janë populli më mbresëlënës përsa i përket relacionit të tyre me punën. Midis këtij populli dhe punës ekzistoka një largësi e qetë sa dhe pamundësia jonë për të pasur një shpresë, një projekt dhe një vullnet për të ardhmen.
Precedent: Berisha krijoi bindjen se shqiptari mund të pasurohet vetëm në bazë të tregtive mafioze, armë drogë, se paraja e tij do të jetë gjithnjë e pisët, se e ardhmja e tij do të jete gjithnjë e dyshimtë. Ju e njihni vazhdimin që përbën dhe faktin 8.
Faji: Berisha duhet të dënohet pse në vend që të bënte politikë, pranoi të kridhej i gjithë populli shqiptar në gjestin apolitik të parasë së pisët. Ai duhet të dënohet për dëmin ekonomik që iu shkaktua në masën më të madhe jo financiare, por njerëzore atyre që këto para i kishin fituar me punë. Këtu faji ndahet përsëri me popullin. Por në mungesë të një gjyqi për popullin mjafton krimi që hoqi ai në kurriz: krimin ’97.
Pasi e shkatërroi me reformat që bëri ushtrinë, po të njëjtën ushtri e përdori dhe për të zbrazur sheshin. Këtë e përmendëm më sipër në krimin kombëtar. Kështu që në raste trazirash populli (mendoheni për të lehtësuar Berishën si turma, por nuk do t’ju avancojë shumë ky argument) mund të mendonte fare mirë se ndër armiqtë e tij ishte dhe ushtria. Depot u bënë objekt i sulmeve të tij, ndërsa ushtarakët e Berishës i lanë pa një pa dy armët në duart e turmës. Ju e njihni rezultatin. Shifra e të vrarëve nuk dihet. Ishte koha kur ministri aktual i mbrojtjes po shkatërronte mbrojtjen e Shqipërisë. Në fajet e Berishës nuk po rradhisim aspak që më të përmjerët, ata që i ka përmjerë vetë, sot mundohen t’i zbardhin faqen. Mjaftojnë dy emra: Frrok Çupi dhe Arben Imami. Detyrë shtëpie: Emrat e tjerë i gjeni vet. Mjafton të ndiqni shembullin e dhënë.
Precedenti: Mund të sulmoni sa herë t’jua ketë qejfi depo dhe thesar. Shteti nuk është i aftë t’i mbrojë ato për sa kohë që ushtria është e zënë me punë të tjera, për shembull duke shkuar e votuar si garnizon në një fshat tjetër për Berishën në zgjedhjet lokale (natyrisht nën drejtimin e Njazi Koçovrastit, le ta themi kalimthi).
Krimi: Vazhdon të jetë gjithë populli ushtar. Kjo është deviza e paranojës (sëmundje shumë e dashur për një kardiolog).
Fakt: zhvillim i paparë i lojës së doganave.
Precedent: puna në vend nuk ka rëndësi. Sillni domate nga Greqia dhe do të shpërbleheni në kufij.
Krimi: Shkatërrim i prodhimit vendas që nënvizon: Shqipëria nuk mund të pasurohet së brendshmi por së jashtmi. Kufijtë te ne janë për të nxjerrë njerëz dhe për të futur mall.
Fakt: ShIK-u, një synim i hapur i Berishës që është kundër çdo përshtypjeje të parë një frikacak afatshkurtër. Këtu po shtoj një këshillë: Kini frikë nga ai që harron se është frikacak.
Precedenti: Mund të ndërtojë ShIK sa të duash, gjithnjë për t’ju frikësuar ju, sepse për të marrë vesh nëse kanë dorë grekët në hapjen e depove në ’97-n, këtë SHIK-u ynë nuk mund ta bëjë dot. ShIK-u është një punësim për të papunët.
Krimi: Destabilizim i strukturave të inteligjencës, pas atyre të ushtrisë, që ka për rezultat jo të rrisë verbërinë e reformatorit të tyre, verbëri për të cilën është reformartori vetë.
Fakt: po aq serioz sa të parët edhe pse mund t’ju bëj juve të qeshni vjen dija skizofrenike e Berishës që përzjen si mundet Nietzsche, Deep Purple, Lady Gaga dhe Shakira, duke hapur pas legjendës se është i ndershëm dhe atë të dijes së tij astronomike, ai mbetet po aq injorant sa dhe këshilltarët e tij. Nuk ka bërë asnjë lexim të denjë dhe rrethohet nga më injorantë se ai.
Precedenti: Universiteti nuk na duhet, kështu që mund të ndërtojmë sa të duam, t’i kthejmë institutet në universitete, të ndërtojmë privatë dhe shtetërorë në çdo cep të Shqipërisë.
Faji: Sa të jenë injorantë në krye të institucioneve duhet që çdo shqiptar të jetë më injorantë se ata. Krimi është i qartë edhe njëherë: shkatërrimi i institucionit më të lartë të vendit. Natyrisht për të njëjtin krim mund të dënohej Artan Fuga, etj.
Fakt: për të ruajtur pushtetin mund të japë të gjithë Shqipërinë me koncesione, madje dhe detin në jug.
Precedenti: Për të marrë pushtet, për të mbajtur pushtet, monedha është ky copë vend që do ta boshatisim me dhe siç mundim prej shqiptarëve.
Faji: Si zakonisht kombëtar.
Krimi: Si zakonisht kombëtar.
Fakti ters: Kosova, kur na duhet dhe kur nuk na duhet. Serbëve iu duhet gjithnjë. Ne mund të dërgojmë aleatin tonë Ilir Meta në kongresin e partisë demokratike serbe (mos të ofendohet Meta që e kam shkruar me të vogla emrin e partisë më sipër).
Precedenti: i paparë.
Krimi: I paparë gjithashtu
Le ta mbyllim me këtë fakt ters këtë renditje të zbehtë të bëmave të Sali Berishës.
Të shpresojmë se do të tregojmë në të ardhmen se përse partia socialiste nuk ekziston në Shqipëri dhe se përse, si e tillë, ajo ishte vendi i natyrshëm për nyjen paradoksale Edi Rama-Gramoz Ruci. Duhet të dini, harrova t’jua them se dhe unë isha në protestë. Kjo kujtesë, nëse dikush mendon se në protestë ishin të gjithë koqe, apo kashtë e koqe. Në këtë popull që nuk voton në masën 40% (duke përfshirë votat e shtuara) ka mundësi që e gjithë pjesa tjetër të jetë si unë. Ndaj si Berisha dhe Rama, duhet ta dinë se nëse do të kishte shkuar deri në fund ajo protesta, nuk do të kishte përfunduar te kryeministria, por te Partia Socialiste (nuk e di sipas atij skenarit që përflitet do të kalonte në mes a në fund nga LSI-ja). Sepse ndryshe realizohet pra, dhe njëherë, fitorja e madhe e Berishës, dhe Ramës: Fitorja e madhe e Sali Berishës: tani po u japim nga një vizë dhe po i ftojmë me të njëjtin ngadhnjim drejt fatit tragjik dhe tradhtisë komike. * Dërguar nga autori, pikepamjet jane personale