Tiranë, 31 janar 2011, NOA - Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë miratoi sot në parim draftligjin “Për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor”, një ligj mjaft i rëndësishëm pasi ai garanton paketa shërbimi të mirëpërcaktuara e shumë transparente ndaj popullatës, që përbën një element kyç kundër korrupsionit. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë mbrojtjes së draftit në komision theksoi se sigurimet janë konsoliduar në sistemin Bismark.
“Deri tani ka pasur diskutime të shumta, por me këtë ligj është vendosur skema Bismark, sikurse në vendet gjermano-folëse si Gjermani, Austri, etj. Parimi i solidaritetit është një nga parimet bazë të ligjit, që është dhe në disa vende evropiane”, bëri me dije zonja Hana.
Ajo tha ndërkaq se “ligji nga pikëpamja e shërbimeve shëndetësore është shumë herë më i përcaktuar sesa ligjet që kanë qenë në fuqi deri më sot”.
Sipas Hanës ligji garanton transparencë në të gjithë elementët, që nga futja e pacientit në sistem deri tek kostot që paguan Fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit për çdo lloj shërbimi.
Drejtoresha hana sqaroi se “Vetë qeveria, merr përsipër një barrë të konsiderueshme, pasi do të mbulojë popullatën në nevojë, si të papunët, pensionistët, fëmijët, invalidët etj”.
Ndër të tjera ligji garanton shërbim cilësor optimal dhe rritje të skemës, nëpërmjet paketave të shërbimit.
Duke argumentuar risitë e projektligjit, zonja Hana sqaroi se “nëse ne nisim me një paketë modeste shërbimesh, pas llogaritjes së kostove do të lejojë rritje të skemës në disa nivele, nëpërmjet shtimit të shërbimeve në parësor, spitale, duke rregulluar dhe sistemin sekondar dhe terciar në të gjithë vendin”.
Ajo nënvizoi se ligji lejon dhe krijimin e spitaleve të mira rajonale, duke zbatuar sistemin e referimit.
Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor informoi sakaq se ligji do të mundësojë ofrimin e më shumë shërbimeve që do të blihen nga ISKSH, jo vetëm për qendrat shëndetësore, por edhe për spitalet.
Ligji vë theksin tek sistemi publik shëndetësor, si pjesa më e rëndësishme e tij, por i lihet një hapësirë edhe privatit.
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana vlerësoi se “Ne shpresojmë që privati, pas akreditimit dhe konsolidimit të tij të sjellë cilësi të mirë dhe konkurencë dhe në ligj lejohet dhe kontraktimi me të për disa shërbime të mirëpërcaktuara me Fondin e ri, që do të krijohet dhe këto do të jenë deri në masën e financimit të publikut”.
Hana informoi se paketat e shërbimeve, të cilat do të ofrohen në publik me koston e njohur, mund të kontraktohen edhe në sistemin privat, nëqoftë se këta të fundit do të propozojnë risi dhe ulje të çmimeve në krahasim me publikun, por edhe cilësi më të mirë.
Sipas Hanës në raste të tjera mënyra e aplikimit të kësaj bashkëpagese do të përcaktohet në kontrata.
mit/NOA