English

Hysi: Procedim penal për drejtuesit e policisë

Tiranë, 31 janar, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste Vasilika Hysi deklaroi sot për mediat se mos zbatimi i vendimit për ndalimin e drejtuesve të gardës përbën një shkelje të rëndë kushtetuese. Ajo u shpreh se nëse policia nuk zbaton vendimin e Prokurorisë ndaj tyre duhet të nis procedimi penal.

“Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndaj drejtuesve të policisë që nuk zbatojnë këtë urdhër të prokurorisë ka vend të fillojë urgjentisht procedimi penal. Drejtuesit e policisë që sot mendojnë se janë të mbrojtur nga Sali Berisha dhe se kjo mbrojtje u garanton atyre imunitet nga ligji, duhet të mbajnë mirë parasysh pasojat serioze penale që do të rëndojnë mbi ta për çdo minutë që pengojnë punën e drejtësisë”, u shpreh sot Hysi.

Nga ana tjetër Hysi u shpreh se është kreu i qeverisë ai që po bën grusht shteti ndaj institucioneve.

“Duke mos dorëzuar të 6 gardistët që vranë e plagosën në 21 janar, Sali Berisha, po konsumon një grusht shtetit, po shkel kushtetutën e Shqipërisë dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Çdokush që bashkëpunon me Sali Berishën për të penguar drejtësinë të kryejë punën e saj do të mbajë përgjegjësi ligjore për këto veprime”, tha Hysi.

Duke u ndalur në deklaratat e sotme të kreut të qeverisë Hysi u shpreh se Berisha po mbron vrasësit e qytetarëve që demonstruan paqësisht.

“Sali Berisha duhet ta kuptojë se e ka të kotë nëse mendon se do të arrijë të shpëtojë nga ndalimi këta 6 anëtarë të Gardës së Republikës që akuzohen për krimin më të rëndë që mund të imagjinohet në një vend evropian e demokratik: kanë vrarë tre qytetarë të pafajshëm e kanë plagosur shumë qytetarë të tjerë të pafajshëm vetëm e vetëm sepse protestuan kundër regjimit të Sali Berishës”, tha Hysi.

a.k.NOA

KOMENTE