English

Kadare, në nderim të 75 vjetorit të lindjes

Zyrih, 31 Janar 2011 NOA/ Gani Qarri - Shkrimtari më i madh që kanë nxjerrë krahinat shqiptare, fituesi i parë nga vendet jo anglishtfolëse i Çmimit prestigjioz ndërkombëtar "Man Booker" me 2007 në Amerikë, fitues i Çmimit prestigjioz për letërsi “Princi i Asturias”me 2009 në Spanjë dhe Pretendues për Çmimin Nobel, personaliteti i shquar me famë botërore, Ismail Kadare, ditë më parë larg Atdheut, pa shokë e të njohur pa zhurmë e bujë të madhe, festoi 75 vjetorin e lindjes me familjen e tij, në kryeqytetin e Francës në Paris.

Kryeqyteti francez me histori mijëra vjeçare, trashëgimi kulturore e arkitektonike dhe i njohur për aktivitete me rëndësi botërore të natyrës letrare, filozofike, shkencore, politike, edhe për një herë më tepër po nderohej, nga prania e kësaj pene të shquar, shqiptare dhe botërore.

28 Janari është dita e lindjes së Gjeniut të madhe të letrave shqipe, e njeriut që u lind dhe u rrit në gurët e kalldrëmeve dhe shtëpive karakteristike me krenarin e së kaluarës pranë kalasë shekullore të qytetit të Gjirokastrës, ku në shenjë nderimi ndaj Shkrimtarit, në mungesë të organeve shtetërore dhe drejtuesve nga Tirana, me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij, shoqata "Miqtë e Kadaresë", kishin mbajtur vetë një festim edhe në Qytetin e lindjes së Shkrimtarit në Gjirokastër.

Por, intelektualët gjirokastritë nuk kishin arritur që manifestimin ta mbanin në shtëpinë muze të Kadaresë, për shkak të vonesës së restaurimit të shtëpisë, përkundër fondeve të ndara nga UNESKO enkas për këtë restaurim, për gjithë opinionin qytetar dhe vizitorët që duan ti shohin nga afër pasuritë dhe vlerat e veçanta të shtëpisë muze të shkrimtarit të të gjithë shqiptarëve.

Ditën e hënë, me 31 janar 2011, në Tiranë, në përkujtim të 75-vjetorit të lindjes së shkrimtarit edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, organizuaka një konferencë jubilare për Ismail Kadarenë, për veprën e të cilit qenkan caktuar të flasin, Shaban Sinani, Mark Marku dhe Agron Tufa, por çfarë bëri Kosova dhe lidhja e shkrimtarëve të saj bashkë me Akademinë e shkencave për 75 vjetorin e personalitetit të shquar të Kadaresë i cili në vitin 1972, jo vetëm se për herë të parë, kishte vizituar Kosovën por ai gjatë gjithë jetës së tij, bëri shumë për te dhe të gjithë shqiptarët?!

Veprat e Kadaresë janë të njohura e të përkthyera dhe të pranuara me shumë dashamirësi në gjithë Botën, madje disa prej tyre me të drejtë, për shqiptarët e të gjithë trojeve, cilësohen si Vepra të Shekullit, brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Kjo edhe kishte bërë që veprat e mëdha të Ismail Kadaresë, ti kalonin kufijtë e tokës së pa shkelur shqiptare edhe në kohën kur ai veprat e tij duhej ti botonte nën regjinë e Drago Siliçit, si redaktor me porosi për futjen e ndonjë fjale anti parti dhe anti sistem të kohës. Fenomeni Kadare kishte arritur me mjeshtëri të modifikoi rolin shoqëror të njerëzve me kulturë duke u vënë në veprim për një Shqipëri më të mirë me vepra të pranuara dhe të përkthyera në mbi 30 gjuhë botërore të cilat jo vetëm atij por edhe neve na bëjnë nder si komb, kudo që ato paraqiten dhe lexohen. Në librat e shkruara nga ai, jo vetëm se gjejnë vend historia dhe legjenda shqiptare, por edhe e vërteta bashkë me problemet madhore të kombit tonë, të cilat janë thellë të ngulitura në veprat e Kadaresë.

Edhe pse Ismail Kadare me veprat e tij vijon të përfaqësoj më denjësisht se çdo shqiptar tjetër, letërsinë kombëtare në arenën mbarë botërore, inteligjencia shqiptare, jo çdo herë bën punën si duhet, duke vazhduar edhe në këto kohë luftën kundër Kadaresë nga hipokrizia, hakmarrja e pa arsyeshme dhe xhelozia kundër madhështisë së tij të përmasave botërore.

Ismail Kadare si Autor i veprave të famshme si "Dimri i madh" Gjenerali i Ushtrisë së vdekur" "Prilli i Thyer", "Piramida", "Dosja H", "Tri elegji për Kosovën" e shumë veprave të tjera, përshkrimin e personazheve, ngjarjeve dhe cilësimet e figurave i bënë në mënyrë aq të përsosur sa që shpirti i lexuesit i afrohet krejt afër përjetimit të vërtetë me përshkrimin e plagëve të shoqërisë të cilat në brendësinë e tyre përmbajnë kuptimin e jetës deri në imtësi. Ato e bën të njohur në gjithë Botën jo vetëm atë por Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi, me veprat e tij të mëdha të përkthyera në mbi 30 gjuhë kurse "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", i zhvilluar edhe si film televiziv.

Ndaj në fillim të viteve `90-ta, shtëpia botuese “Fayard” në Paris, botonte për herë të parë një autor të saj në dy gjuhë në frëngjisht dhe shqip, dhe ky ishte botimi i tretë i serisë së veprave të Ismail Kadaresë, që ishte një nder jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për gjuhën shqipe, për kulturën tonë dhe letërsinë shqiptare në përgjithësi. Emri i Ismail Kadaresë është një bekim hyjnor i letërsisë sonë kombëtare që ka Kadarenë për autor.

Ai nuk është vetëm letrar i shquar por edhe kombdashës i madh, në veprat e të cilit Atdheu dhe Kombi janë bazamenti i ngritjes së letërsisë së tij në lartësi të pashembullta. Kombi ynë sa i takon letërsisë shqiptare në botë, me penën e Kadaresë, pati një fat që nuk mund ta ketë secili popull, edhe nga kombet më të mëdha në rajon e më gjerë, dhe këtë fat ne sot duhet ta duam ta ruajmë dhe ta çmojmë me krenari, sepse Fenomeni i cili letërsinë tonë e ngriti në përmasa ndërkombëtare, quhet Kadare, të cilit edhe me rastin 75 vjetorit të lindjes së tij, ne nga zemra i urojmë shumë fat, shëndet të mirë, suksese të mëtejme dhe me ndihmën e zotit të na rrojë sa më gjatë dhe nderojë sa më mirë që të jetë e mundur, si popull dhe Komb në tërësi.

KOMENTE