Tiranë, 31 janar 2011 NOA - Komisioni Parlamentar Hetimor “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, vendosi sot t’i dërgojë një shkresë kompanive celulare si dhe kompanisë Albtelekom për disa shtetas, për skedarët telefonikë që disponojnë për gjithë listën e personave.
Po ashtu sot, komisioni shqyrtoi dhe miratoi sot kërkesën e anëtarit, Gent Strazimiri, i cili kërkoi marrje të dhënash shtesë, në bazë të hetimit parlamentar, për mbledhjen e fakteve.
Në përputhje me nenin 14, të Ligjit Nr.8891, datë 2.5.2002, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore”, komisioni shqyrtoi dhe vendosi sot planin e seancave dëgjimore të kësaj jave me drejtues të institucioneve shtetërore. Komisioni miratoi gjithashtu edhe emërimin e zotit Plator Bylykbashi si ekspert ligjor i Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ndërkohë që sot pasdite, në orën 17:30, Komisioni Hetimor Parlamentar zhvilloi një seancë dëgjimore me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha, të cilën e ndoqët me raportim minutë pas minute tek NOA.
e.r/NOA