Tiranë, 31 janar 2011 NOA - Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot në parim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Qeverisjen me drejtësi dhe në mënyrë demokratike, investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike”.
Po sot, ky komision miratoi dhe projektligjin “Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike.
Marrëveshja e ndihmës ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë amerikane përmes Agjencisë USAID, do të përqendrohet në përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, duke mbështetur forcimin e institucioneve të saj demokratike, rritjen ekonomike, si dhe kryerjen e reformave të tjera në sistemin e drejtësisë, uljen e nivelit të korrupsionit dhe forcimin e shoqërisë civile.
Në fushën e shtetit ligjor, synohet të arrihen rezultate në transparencën dhe efiçencën e gjykatave, ndërsa në atë të shëndetësisë, marrëveshja synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, përmes reformave. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, janë Ministria e Financave dhe Departamenti i Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj.
Ndërkaq projektligji për “Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike ” vjen si domosdoshmëri, për përmirësimin e kuadrit ligjor për shkak të zhvillimeve transformuese, që Shqipëria ka bërë në fushën e komunikimeve elektronike, si dhe në frymën e prioriteteve të qeverisë shqiptare, për “Shqipërinë dixhitale”.
Objektivat e strategjikë dhe vizioni i Qeverisë shqiptare për të mbështetur zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimeve, janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, 2007-2013.
e.r/NOA