Tiranë, 31 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – Ka ardhur shpejt reagimi i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, lidhur me hetimin e tabulateve telefonike të disa gazetarëve, duke apeluar që institucionet në Shqipëri, të respektojnë pavarësinë dhe lirinë e medias.
Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wollfarth, ndërsa thekson nevojën për të hetuar plotësisht dhe sa më shpejt ngjarjet e dhunshme që ndodhën në Tiranë, të premten, më 21 janar 2011, nxit të gjitha organet përkatëse të veprojnë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe të respektojnë pavarësinë dhe lirinë e medias.
“Media luan një rol kyç në demokraci dhe në shoqërinë e lirë. Unë i nxis të gjitha institucionet të mbështesin median në detyrën e saj të lartë për të vënë në dispozicion të publikut të dhëna faktike”, - thotë z. Wollfarth.
Ambasadori vlerëson se kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin, në frymën e lirisë dhe të demokracisë.
“Gazetarët duhet të kenë besimin se kjo është baza e punës së tyre profesionale, ashtu sikundër edhe shprehja e opinioneve, si kontribut për formimin e opinionit publik”, - përfundon apeli i Wollfarth.
e.t/NOA