Tiranë, 31 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha dëshmon edhe aktualisht, në Komisionin Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit, duke e akuzuar shefin e Opozitës, Edi Rama si kreun e puçit, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi nga selia rozë se Berisha po udhëheq një grusht shteti.
Duke iu referuar kërkesës së Komisionit Hetimor për përgjimin e tabulateve telefonikë të katër gazetarëve, shefi i selisë rozë theksoi në një konferencë të shkurtër për mediat se se kryeministri Berisha po kërkon të asgjësojë çdo pushtet.
Kryesocialisti Rama tha se Berisha ka sulmuar katër gazetarë që nënkupton se ai po sulmon pushtetin e katërt atë të medias së lirë dhe të pavarur.
“Sulmi ndaj gazetarëve është sulmi i fundit, tha Rama, duke akuzuar se “ndërsa Garda e Republikës qëllon dhe vret, policia e shtetit nuk arreston gardistët”.
Më poshtë vijon deklarata e plotë e Kryetarit të PS Edi Rama:
“ vazhdoi përshkallëzimi i dhunës ndaj institucioneve nga ana e regjimit të kusarisë.
Ky regjim po i qëllon institucionet me gurët e rëntë të antikushtetutshmërisë, duke vazhduar të provojë përditë se nuk ndalet në synimin që të asgjësojë çdo pushtet jashtë kontrollit të tij.
Janë katër gazetarë, të katërt të njohur si element të padëshirueshëm për Saliun dhe regjimin e tij, të cilët njërin pas tjetrit, në kohë të ndryshme, Saliu i ka sulmuar publikisht, duke u cënuar dinjitetin, duke u cënuar familjen, duke u cënuar tribunën mediatike me shantazhe mafioze, nga gjobat kriminale për Top Channel-in, deri në përndjekjen banditeske të gazetës Tema.
Ky sulm i fundit, jo thjeshtë ndaj katër gazetarëve po ndaj asaj pjese të pushtetit të katërt, që nuk i është nënshtruar ende regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut, plotëson listën e përplasjeve të Saliut për të larë hesapet në emër të mbrojtjes së shtetit nga një puç frontal, por në fakt në funksion të materializimit të një grushti të mirëfilltë shteti, të organizuar e udhëhequr nga personalisht i ashtuquajtur i Shqipërisë.
Garda togë që vret për të mbrojtur qeverinë hajdute. Policia e Shtetit që nuk zbaton ligjin për të mbrojtur gardën që vret dhe për të arrestuar e rrahur barbarisht njerëz që ngrihen kundër regjimit të kusarisë. Saliu që sulmon me gurët e antikushtetutshmërisë të gjithë, deri edhe gazetarë të padëshiruar.
Çdo ditë që kalon nxjerr në pah të drejtën e kauzës sonë. Shqipëria është vjedhur në votën e saj, prandaj vidhet përditë në pasuritë e saj dhe së fundi edhe vritet e dhunohet në liritë e të drejtat e saj. Po Shqipëri jo vetëm s’mund të vritet e as të rrihet deri në pikën që të ripranojë partinë shtet e shtetin parti, po ajo sot është përditë e më e vendosur, për të zmbrapsur, me fuqinë e protestës popullore, kusarinë e matrapazllëkun në pushtet.
Edhe për lirinë e shtypit e të gazetarëve që nuk punojnë për regjimin e kusarisë, përveçse për lirinë e zgjedhjeve, të drejtën e punës, ëndrrën e Shqipërisë Europiane, për gjithçka janë vrarë, plagosur, rrahur e nëpërkëmbur jo vetëm në 21 janar, po në vite sundimi çnjerëzor të korrupsionit në pushtet, të premten në do të ridalim në rrugën e rezistencës paqësore duke demonstruar në rrugët e Tiranës, Lezhës, Vlorës e Korçës.
Sot më shumë se kurrë, kjo nuk është beteja e jonë në krye të popullit opozitar, po beteja jonë bashkë me popullin, që kërkon liri e të drejta të panegociueshme në një Shqipëri e cila në asnjë mënyrë s’mund të kthehet në kohën e zezë të partisë shtet a shtetit parti”.
mit/NOA