Mal i Zi, 31 janar, NOA - Shqiptarët në Mal të Zi e përjetojnë si provokim dhe uzurpim të trojeve të tyre etnike vendosjen e një kishe ortodokse serbe në malin e Rumisë në zonën e Krajës. Deputeti i partisë shqiptare në parlamentin malazez, Mehmet Bardhi, ia paraqiti këtë shqetësim kryeministrit të posaemëruar Igor Llukshiç, duke kërkuar nga qeveria e Malit të Zi që t’i marrë masat ligjore për zhvendosjen e kësaj kishe nga zona e Krajës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike dhe deputeti shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, përsëriti kërkesën e tij për zhvendosjen e një kishe ortodokse serbe, e cila në gusht të vitit 2005 u ngrit në majën e malit të Rumisë në zonën e Krajës.
Zoti Bardhi këtë kërkesë e bëri gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi Igor Llukshiç, të zhvilluar në kuadër të ditëve të konsultimeve, duke theksuar se objekti në majën e Rumisë paraqet një provokim për pakicat tjera që jetojnë në këto hapësira:
“Përsëri Kisha Pravosllave do që në malin e majës Rumi njëherë të sjellë një kryq dhe pastaj më vonë pra, provokime të ndryshme. Maja e malit Rumi është maja më e lartë në majet e Krajës. Edhe ajo është një mal që ne mbas traditës e quajmë si të shenjtë sepse kemi të bëjmë me kultin pagan pra, e jo me kultin e asnjë fesë... Qytetarët e këtyre trojeve, kranjanët, kanë ruajtur edhe delet në shpatet e malit Rumi. E këndon fort bukur edhe Mjeda në poezinë e tij ku thotë ‘gjithë rrotull Krajës e kah merr Rumija’, ‘gjëmim trokesh’, pra kumbanash të deleve etj... Ne kemi qenë shumë të qartë që në majën e malit Rumi, meqenëse njëherë në vjet ngjiteshin njerëzit dhe në Ruminë e Vogël bëheshin edhe gara të ndryshme në hedhjen e gurit, në rrëzime etj... Ndërsa në majën e malit Rumi çdokush kush ngjitej, sipas një kulti pagan, çdokush duhej të hidhte nga një gur”.
Edhe kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka kërkuar nga qeveria republikane që të zbatohet ligji për zhvendosjen e kësaj makete të metaltë në formë të kishës. Ai tha se majën e Rumisë e kanë mbrojtur me shekuj myslimanët, katolikët e ortodoksët dhe ishte vend pelegrinazhi për të gjitha komunitetet. Kurse vendosjen e kishës aty, zoti Krivokapiç e quajti përdhosje të vendit.
Kryeministri Igor Llukshiç me këtë rast vuri në dukje se udhëheqësit fetarë duhet të promovojnë paqen dhe tolerancën. Ai shprehu keqardhje për disa veprime provokuese të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe paralajmëroi se çështja e Rumisë duhet të zgjidhet në favor të komuniteteve që jetojnë atë rajon.
NOA/VOA