English

Unioni: Ndal implikimit të gazetarëve në luftën politike

Tiranë, 31 janar, 2011 NOA - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi sonte i alarmuar pas vendimit të Komisionit parlamentar hetimor për t’u vënë në dispozicion të tij tabulatet e telefonave personalë të gazetarëve Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Cakuli dhe Mero Baze.

Kjo kërkesë, e cila vjen prej një komisioni të paplotë hetimor për shkak të pjesëmarrjes në të vetëm të deputetëve të shumicës në qeverisje, bie ndesh me të drejtën e gazetarit për të qenë i pavarur, i lirë dhe në mëvetësinë e tij për informim.

Ky vendim cënon të drejtën themelore për privacy dhe kërcënon hapur kolegët për t’i implikuar ata në përballjen e egër politike që aktualisht pozita dhe opozita ndajnë në realitetin e përditshëm politik.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon pranë këtij Komisioni të tërhiqet mbrapsht një kërkesë e tillë, ndërkohë që u drejtohet institucioneve ligjore të vendit dhe asosacioneve ndërkombëtare për të reaguar ndaj kësaj kërkese të paprecedent.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i bën apel çdo individi dhe institucioneve partiake e politike në vend, të ndërhyjnë që kjo kërkesë e padrejtë të mos përdoret për politizimin e mediave dhe misionit të gazetarëve në realitetin e sotëm.

“Shpallim shqetësimin tonë të madh ndaj kësaj kërkese e cila në vetvete mbart rrezikun e kërcënimit dhe të implikimit të gazetarit në luftën e ashpër politike që pozita dhe opozita bëjnë në këtë vend”, - thekson Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Organizata u drejtohet organizatave prestigjioze ndërkombëtare të gazetarëve në Botë, të reagojnë ndaj këtij vendimi të komisionit hetimor , duke e vlerësuar reagimin dhe kërkesën tonë si një nevojë për garantimin e lirisë së mediave dhe gazetarit në realitetin e vendit.

e.r/NOA

KOMENTE