Tiranë, 1 shkurt 2011, NOA – Pas kryeministrit të vendit Sali Berisha përballë Komisionit Hetimor Parlamentar për 21 janarin ka dalë për të dëshmuar sot Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili theksoi se do të japë çdo informacion në shërbim të zbardhjes së ngjarjeve të 21 janarit që shënuan aktet e dhunshme pranë kryeministrisë dhe vrasjen e tre demonstruesve. Që në krye të dëshmisë së tij, Ministri i Brendshëm akuzoi kryesocialistin Edi Rama se ai urdhëroi demonstruesit të qëllonin mbi kordonin e policisë dhe të kryenin akte dhune për marrjen e pushtetit me dhunë.
“Qëllimi kryesor i 21 janarit ishte marrja me forcë e Këshillit të Ministrave. Në pamundësi të marrjes së godinës së qeverisë me forcë në skenar ishte vrasja e disa personave me qëllimin e vetëm që situata të precipitonte dhe më pas të kërkoheshin zgjedhje të parakohshme”, dëshmoi ministri Basha, i cili akuzohet nga PS si një nga arkitektët e dhënies së urdhrave për qëllimin e demonstruesve, dhe për të cilin opozita ka kërkuar dorëheqjen.
Duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit, Basha theksoi se demonstruesit apo banditët e paguar siç i quajti ai nisën të goditnin me çadra, hunj, e më pas dhuna u përshkallëzua.
“Banditët u urdhëruan të godasin me ç’të mundin ndaj forcave policisë. Dhuna u përshkallëzua”, tha Basha, duke shtuar se nga forcat e policisë u plagosën dhjetëra punonjës të Policisë së Shtetit.
Ai tha se banditët e përshkallëzuan dhunën e tyre edhe pas hyrjes në lojë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët e shmangën për pak minuta dhunën me shpërndarjen e gazit lotsjellës, por më pas dhuna vijoi me shpërthimin e derës dhe hyrjen në oborrin e kryeministrisë të banditëve, që tashmë do të qëllonin edhe forcat e gardës së Republikës.
Basha deklaroi se këshilli i Ministrave u rrethua për pesë orë rresht nga banditët, që siç e dokumentoi edhe media tha Basha, ishin të armatosur me lëndë plasëse, bomba molotov dhe mjete të tjera goditëse.
“Ne identifikuam dhjetë grupe pesëshe të mirëorganizur me mjete specifike, të cilët merrin urdhra të posaçëm nga ndërtesa përballë qeverisë apo dy Kullave”, nënvizoi ministri i Brendshëm, duke nënkuptuar se urdhrat vinin nga kryesocialisti Edi Rama, i cili e ndiqte demonstratën dhe aktet e dhunshme nga lokali i deputetit socialist Fidel Ylli.
Basha tha se në këto akte merrnin pjesë persona të dënuar më parë për krime, ndërkohë që ai vlerësoi përmbajtjen e Policisë së Shtetit gjatë mbrojtjes së institucionit të kryeministrisë.
“Për pesë orë Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës u përmbajtën në mbrojtje të institucioneve. Pas pesë orësh dhunë, thyerjes së derës dhe hyrjes brenda dhe goditjes së efektivëve të Gardës së Republikës ky operacion sulmi dhe rrethimi të kryeministrisë mori fund, dhe forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë duke kapur të gjithë ata që po përpiqeshin të merrnin me forcë godinën e qeverisë”, bëri me dije Basha.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit hetimor Parlamentar të hetojë veçanërisht thirrjet dhe paralajmërimet për dhunë të bëra nga krerë të opozitës, të cilët ai i konsideroi si nxitëse të dhunës dhe një paralajmërim të fortë për ato që shënuan 21 janarin.
“Ata janë shprehur se në 21 janar do të bjerë kryeministria”, akuzoi Ministri i Brendshëm krerët e opozitës.
Ai theksoi se i ka bërë thirrje Partisë Socialiste të distancohet nga elementët kriminalë, të cilët sipas tij kanë akses në këtë parti.
mit/NOA