English

Berisha flet sërish mbi dhunën e 21 janarit

Tiranë, 1 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kryeministri Sali Berisha ka folur sërish sot për 21 janarin duke informuar një diplomat spanjoll mbi atë që ai e quajti dhunim të rendit kushtetues.

Berisha priti në një takim ambasadorin e ri të Spanjës, Rafael Tormo Perez dhe e njohu “me zhvillimet e fundit, pas dështimit të tentativës së opozitës, për të dhunuar institucionet demokratike dhe rendin kushtetues”.

Në takim gjithashtu u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe qeverive dhe ne veçanti intensifikimi dhe zgjerimi i jashtëzakonshëm që bashkëpunimi mes dy vendeve ka njohur gjatë viteve të fundit.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen ambasadorit për mbështetjen e jashtëzakonshme të Spanjës ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për liberalizimin e vizave dhe ecjen përpara drejt integrimit në BE, si dhe për një sërë projektesh të rëndësishme në fushën e kulturës, arsimit, bashkëpunimit ekonomik që janë realizuar dhe po realizohen gjatë kësaj periudhe.

Kurse Ambasadori spanjoll Perez i rikonfirmoi kryeministrit Berisha vendosmërinë e palëkundur të Spanjës dhe te qeverisë së saj, për të mbështetur Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për anëtarësimin në BE dhe marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat, si dhe për vijimin e intensifikimit të të gjithë projekteve të përbashkëta, në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të së mirës të dy popujve dhe vendeve miq.

e.t/NOA

KOMENTE