English

Berisha-Trpevski: Rikonfirmohet vendosmëria për rrugën e Arbrit

Tiranë, 1 shkurt 2011, NOA – Marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe vendosmëria për të realizuar projektet madhore në infrastrukturën mes dy vendeve si rrugën e Arbrit, linjën hekurudhore apo Korridorin 8 ishin lajtmotiv i takimit të zhvilluar sot mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të Maqedonisë në Shqipëri, Vele Trpevski, i cili sapo ka marrë detyrën e diplomatit maqedonas në Shqipëri. Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen zotit Trpevski dhe suksese në detyrën e tij, foli me të për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis të dy vendeve fqinje e miq.

Dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan vendosmërinë e palëkundur të dy qeverive dhe vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të përparimit të të dy vendeve, forcimit të paqes, miqësisë e bashkëpunimit në rajon, si dhe integrimit sa më të shpejtë të të gjithë vendeve të tij, në strukturat euroatlantike.

Në takim u rikonfirmua vendosmëria e të dy qeverive për të punuar për realizmin e infrastrukturave të rëndësishme midis dy vendeve dhe rajonale, të cilat do të sjellin më afër të dy vendet dhe popujt si rruga e Arbërit, linja hekurudhore, apo Korridori 8, si dhe për të kompletuar të gjithë kuadrin ligjor në ndihmë të këtyre projekteve.

Gjithashtu Kryeministri Berisha dhe ambasadori maqedonas Trpevski siguruan mbështetjen e plotë dhe reciproke të të dy vendeve për ecurinë e mëtejshme, në projektet integruese euroatlantike.

Ambasadori Trpevski vlerësoi reformat dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare, të cilat mundësuan integrimin në NATO të Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave.

Trpevski i rishprehu kryeministrit Berisha dëshirën e kryeministrit Gruevski, qeverisë dhe vendit fqinj për ta mikpritur shefin e qeverisë shqiptare në Shkup, një ftesë të cilës Kryeministri Berisha iu përgjigj me shumë kënaqësi.

mit/NOA

KOMENTE