English

Kapen 1.5 kg marijuanë në autobusin Tiranë-Athinë

Kakavijë, 1 shkurt, NOA – Policia Kufitare e Kakavijës ka arrestuar në flagrancë një person për “Trafik ndërkombëtar të lëndëve Narkotikëve”, ndërsa transportonte drejt Greqisë rreth 1.5 kilogramë marijuanë.

Lajmi konfirmohet prej saj për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se në orën 01.00, të mëngjesit në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë një kontrolli të ushtruar në bagazhet e dorës në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, të shoqërisë “Joy Travel”, në një nga çantat është konstatuar një pako në formë të çrregullt, e mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj dyshohej se mund të kishte lëndë narkotike të llojit marijuanë.

Më pas, rezultoi se çanta ku u gjet lënda narkotike ishte e 27-vjeçarit Jorgo Thimjo, lindur dhe banues në fshatin Labov e Vogël të rrethit Gjirokastër.

Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka konstatuar se në pakon e gjetur në çantën e të lartpërmendurit kishte lëndë narkotike, të presuar në formë çokollate të dyshuar si marijuanë në sasinë prej 1.5 kg.

Ky person udhëtonte nga Tirana për në Kretë, pasi ishte emigrant dhe punonte atje e në bazë të deklarimeve të tij, lëndën narkotike e kishte blerë në Tiranë me shumën prej 400 eurosh.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë po vazhdon puna për kapjen e shtetasit që ia ka shitur lëndën narkotike, ndërsa materialet iu kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE