English

Komisioni i Sigurisë miratoi pr/ligjin për luftën ndaj psikotropeve

Tiranë, 1 shkurt 2011, NOA - Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8750, datë 26.3.2001, “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope”. Ndryshimet e miratuara në këtë projektligj, përcaktojnë se Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas përfundimit të ekspertimit të substancës narkotike ose psikotrope, së bashku me aktin e ekspertimit, i dërgon organit procedues që ka kërkuar ekspertimin edhe mostrën e ekspertuar.

Ndërsa, rregulla më të hollësishme për afatet, procedurën dhe mënyrën e dërgimit të substancave narkotike ose psikotrope të ekspertuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjithashtu, ndryshimet përcaktojnë se Instituti i Mjekësisë Ligjore, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, inventarizon mostrat e substancave narkotike dhe psikotrope, të ekspertuara prej tij, sipas çështjes penale përkatëse.

Në përfundim të procesit të inventarizimit, Instituti i Mjekësisë Ligjore njofton drejtuesit e Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së parë, të cilët marrin masat për asgjësimin e substancave narkotike dhe psikotrope ose për kryerjen e veprimeve sipas disponimit të gjykatës në vendimin përfundimtar.

mit/NOA

KOMENTE