English

Ku mund të investohet në bujqësinë shqiptare?

Tiranë, 1 shkurt, NOA – Në kuadër të forumit për ushqimin dhe agrikulturën në Berlin u zhvillua javën e kaluar një panel diskutimi për mundësitë e investimeve në Evropën Juglindore.

Në Evropën juglindore investimet janë bërë kryesisht në banka, infrastrukturë dhe prodhim, por shumë pak në bujqësi. Bujqësia në rajon jep në shumë vende një pjesë të konsiderueshme të prodhimit bruto. Për këtë arsye, Komisioni lindor i ekonomisë gjermane dhe Shoqata e Evropës qëndore dhe lindore organizuan panelin e diskutimit me specialistë, investitorë dhe qeveritarë nga rajoni. Përfaqësuesit nga rajoni treguan për mundësitë e vendeve të veta.

Lidhur me mundësitë e investimeve në sektorin agrar në Serbi Aleksandar Ivkovac, i ngarkuar me ekonominë në Ambasadën e Republikës Serbe në Berlin, mendon se "Serbia ka mundësi të mira dhe është vendi i vetëm në Evropën Juglindore që eksporton më shumë prodhime ushqimore dhe bujqësore se sa importon. Mundësitë më të rëndësishme për Serbinë janë prodhimet e drithërave tradicionalë, çmimi i të cilave rritet çdo vit e më shumë, kurse sasia bie, por edhe prodhimi i frutave dhe perimeve me bazë ekologjike. Sepse deindustrializimi i rajonit ka bërë që shumë rajone rurale të prodhojnë prodhime ekologjike të certifikuara, që janë interesante edhe për tregjet e huaja."

Fruta-perime, mish, qumësht

Se ku mund të investohet në Shqipëri në bujqësi e tregon Reinhard Hanke, nga programi për përpilimin e strategjisë për zhvillimin rural, pranë ministrisë së Bujqësisë në Tiranë: "Unë mendoj se fushat me peshë në bujqësi janë prodhimi i perimeve dhe frutave, si dhe prodhimi i mishit e i qumështit. Në këto sektorë do të orientohen programet nxitëse të investimeve. Unë mendoj se këto janë fushat më atraktive ku mund të investohet në bujqësi në Shqipëri. Ekzistojnë edhe mundësi për të zbuluar pjesë të pambuluara të tregut, por këta janë katër sektorët që janë në qendër të politikës së nxitjes së investimeve. Nëse në këto fusha investohet në prodhim, atëherë duhen bërë investime edhe në fushën e përpunimit të perimeve dhe frutave, si dhe në përpunimin e mishit dhe të qumështit".

Në Shqipëri strukturat janë të vogla me 350 mijë fshatarë, ndërmarrjet janë shumë të vogla, sipërfaqet në dispozicion janë shumë të vogla, kështu që është e vështirë që të ofrohet një produkt në sasinë dhe cilësinë që kërkon BE.

Politikat në Serbi shpjegon Ivkovac: “kanë pasur si qëllim forcimin e prodhimit vendas, përkrahjen e fshatarit. Sepse në Serbi, fshatarët kanë sipërfaqe të vogël toke. Ish kombinatet që jepnin prodhimet masive nuk ekzistojnë më, ato u prishën gjatë proceseve reformuese. Sot, fshatarët janë duke shtuar fermat e tyre. E rëndësishme në rajon janë kushtet e tregut. 10 vitet e fundit ato kanë ndryshuar shumë, ekzistojnë disa ndërmarrje tregtare që merren me shitjen e prodhimeve të konsumit, të cilat mbështesin prodhimin produkteve bujqësore ose krijimin e prodhimeve të reja, dhe kthimin e tyre në nivelin perëndimor”.

Serbia eksporton prodhime bujqësore kryesisht në vendet e CEFTA-s, në vetë Evropën Juglindore. Dy vitet e fundit janë shtuar eksportet në drejtim të Italisë dhe Gjermanisë.

Por Reinhard Hanke, mendon se objektivat e investimeve nuk duhet doemos të vendosen të tilla që synimi të jetë-investimi në një produkt për ta shitur atë në vendet e BE-së. “Objektivi ynë nuk duhet të jetë që të investohet për shembull në prodhimin e ullinjve, për të shitur së fundi prodhimin në ndonjë treg në Gjermani. Tregu evropian për këto produkte është i shumëllojshëm. Për BE-në Shqipëria është një vend i tretë dhe ekzistojnë kritere shumë të forta sa i përket sigurisë së lëndëve ushqimore. Ekzistojnë mundësi për t`i eksportuar prodhimet edhe në vendet arabe, për shembull mishim me kualitet të lartë të qingjit. Pra orientimi nuk duhet të bëhet vetëm në drejtim të BE-së, por edhe në tregje të tjera, duke parë me kujdes vendet fqinjë dhe tregjet atje.“

Çfarë mund të blihet në Serbi?

“Serbia ka fruta dhe perime, Shqipëria po ashtu, por ka shumë fusha ku mund të mësohet prej njëri tjetrit, po edhe ku mund të këmbehen mallra. Unë mendoj se sheqeri serb mund të jetë interesant për Shqipërinë, por edhe prodhimet e drithrit kurse nga Shqipëria mund të merren prodhimet e jugut, të cilat zakonisht merren nga vendet e tjetra,“ mendon Aleksandar Ivkovac.

Kurse Hanke tregon një shembull investimi gjerman në Shqipëri: „Ka patur një investim të madh nga Bavaria. Mengele, ka blerë një ndërmarrje përpunimi qumështi në Rrogozhinë. Shihet se investitoret e mëdhenj vijnë kur kushtet janë të përshtatshme. Po të shkoni në supermarkete në Tiranë apo në Durrës, mund të gjeni prodhime gjermane qumështi, duke filluar nga gjalpi e deri tek djathi. Unë mendoj se synimi i Mengele-s është që me prodhimin e këtushëm në vend të zëvendësojë importet që vijnë nga Gjermania, me produkte që prodhohen këtu me të njëjtin kualitet.

Ne shpresojmë që ky zhvillim i mirë në sektorin e bujqësisë të tërheqë edhe investimet. Në këtë fushë janë derdhur shumë pak investime të huaja në 10- 15 vitet e fundit. Ne shpresojmë që me rritjen e eksporteve, rritjen kualitetit të prodhimeve bujqësore, rregullat e prodhimit dhe kontrollit të përshtatura me BE-në, të rriten eksportet dhe në këtë mënyrë edhe të tërhiqen investimet. Kjo nuk do të thotë që vendet e rajonit të kthehen në prodhimin bujqësor dhe të lënë mënjanë industrinë dhe sektorin e shërbimeve.

DW

KOMENTE