Bruksel, 1 shkurt 2011, NOA – Pas mbërritjes disa ditë më parë si ndërmjetësues në uljen e tensioneve politike në vend të shkaktuara nga demonstrate e dhunshme e 21 janarit që shënoi edhe vrasjen e tre demonstruesve, Miroslav Lajçak i dërguari i BE-së për zgjidhjen e situatës politike në vend, pritet të rikthehet në Tiranë të enjten, për t’u takuar rishtas me krerët më të lartë politikë në vend. Lajmin e bëri të ditur Maja Koçijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në BE Kethrin Ashton.
Zonja koçijançiç bëri me dije se Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime me dy udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare, me kryeministrin Sali Berisha dhe Shefin e opozitës, Edi Rama, për të nxitur nisjen e dialogut politik institucional dhe qetësimin e situatës në vend.
Maja Koçijançiç theksoi se BE po I ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri, duke vënë gishtin në atë se Shqipëria duhet të fokusohet në axhendën europiane.
“Këtë e kemi përsëritur shpesh se do të shohim të gjitha aspektet e ndryshme për atë çfarë po ndodhë dhe Miroslav Lajçak do të diskutojë mbi këtë pikë të enjten”, tha ajo.
Më tej zëdhënësja Koçijançiç ritheksoi edhe rëndësinë që ka në kartën e Kopenhagenit respektimi i lirisë së shtypit e medias, duke nënkuptuar kështu se për BE-në hetimi i tabulateve telefonikë të katër gazetarëve një përgjim i kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar mund të jetë një akt që kërkon diskutim sa i përket shkeljes së të drejtës së shprehjes.
“Ju e njihni qëndrimin tonë mbi të drejtën e fjalës, lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe kjo është një çështje që do t`ua bëjmë shumë të qartë. Më shumë se kaq nuk mund të them gjë për momentin”, u shpreh Maja Koçijançiç.
I dërguari i BE-së Miroslav Lajçak erdhi në Tiranë në 26 janar, disa ditë pas demonstratës së 21 janarit.
Ai i kërkoi palëve t’i japin fund dhunës dhe të bëjnë pikërisht atë që duhet dhe që BE kërkon, të nisin dialogun politik institucional.
Lajçak garantoi mbështetjen e BE-së duke theksuar se BE kërkon që Shqipëria të ketë një realitet të qartë europian.
Ndërkohë që bëri thirrje se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë përmes akteve të dhunshme, por vetëm përmes dialogut politik dhe protestave qytetare.
mit/NOA